Miliona njerëz anembanë botës e kanë dyshuar prej kohësh, por tani një rrjedhje sugjeron se telefonat tanë me të vërtetë po na spiunojnë duke dëgjuar bisedat.
Një “pitch deck”* i dukshëm nga një prej partnerëve të supozuar të marketingut të Facebook duket se jep hollësi se si kompania përgjon bisedat e përdoruesve për të krijuar reklama të dedikuara.
Në një paraqitje tronditëse, Cox Media Group (CMG) pretendon se softueri i tij “Active-Listening” përdor Inteligjencën Artificiale (AI) për të mbledhur dhe analizuar ‘të dhënat në kohë reale’ duke dëgjuar atë që thoni përmes telefonit, laptopit ose mikrofonit në shtëpi.
“Reklamuesit mund t’i çiftojnë këto të dhëna zanore me të dhënat e sjelljes për të synuar konsumatorët në treg”, thuhet në rrjedhjen e zbuluar.
Kompania vijon të reklamojë Facebook, Google dhe Amazon si klientë të CMG, duke sugjeruar se ata mund të përdorin shërbimin e tij Active-Listening për të synuar përdoruesit.
Operacioni iu zbulua gazetarëve në 404 Media që tregon aftësitë e softuerit Active-Listening për klientët e mundshëm.
Që nga zbulimi dhe shpërfaqja e gjetjes, Google hoqi grupin e mediave nga faqja e saj “Programi i Partnerëve”.
Në një deklaratë të dërguar me email për DailyMail.com, një zëdhënës i kompanisë META tha: “Meta nuk përdor mikrofonin e telefonit tuaj për reklama dhe ne kemi qenë të hapur për këtë për vite me radhë. Ne po kontaktojmë me CMG për t’i bërë ata të sqarojnë se programi i tyre nuk bazohet në të dhënat e META-s.”
Amazon iu përgjigj 404 Media duke deklaruar se dega e saj e reklamave “nuk ka punuar kurrë me CMG në këtë program dhe nuk ka në plan ta bëjë këtë”.
Por zëdhënësi shtoi se nëse një nga partnerët e saj të marketingut shkel rregullat e saj, kompania do marrë masa, duke e lënë disi të paqartë statusin e marrëdhënies së Amazon me CMG.
Prezantimi tregon hollësitë e procesit me gjashtë hapa që përdor softueri Active-Listening i CMG për të mbledhur të dhënat e zërit të konsumatorit përmes çdo pajisjeje të lidhur me mikrofon, duke përfshirë telefonat inteligjentë, laptopët ose asistentin me zë në shtëpi.
Është e paqartë nga shfaqja e prezantimit nëse softueri Active-Listening po përgjon vazhdimisht, ose vetëm në momente specifike kur mikrofoni i telefonit aktivizohet, si p.sh. gjatë një telefonate.
Reklamuesit më pas përdorin këto njohuri për të synuar ‘konsumatorët në treg’, të cilët janë njerëz që konsiderojnë në mënyrë aktive blerjen e një produkti ose shërbimi të caktuar.
Nëse zëri juaj ose të dhënat e sjelljes sugjerojnë se po mendoni të blini diçka, ato do t’ju ofrojnë reklama për atë artikull.
Për shembull, duke folur ose duke kërkuar për makina Toyota mund t’ju shtyjë të filloni të shihni reklama për modelet e tyre më të reja.
“Pasi nis punën, teknologjia analizon automatikisht trafikun e faqes suaj dhe klientët për të nxitur shënjestrimin e audiencës në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në dokumentin e zbuluar.
Për vite me radhë, përdoruesit e pajisjeve inteligjente kanë spekuluar se telefonat ose tabletët e tyre po spiunojnë atë që ata thonë. Por shumica e kompanive të teknologjisë i kanë mohuar këto pretendime.
Për shembull, qendra e privatësisë në internet e META-s thotë: “Ne e kuptojmë që ndonjëherë reklamat mund të jenë kaq specifike, sa duket sikur po dëgjojmë bisedat tuaja përmes mikrofonit tuaj, por nuk jemi duke e bërë këtë.”
Kjo rrjedhje është vetëm zhvillimi më i fundit në një valë raportimesh që sugjeron se telefoni juaj me të vërtetë po ju spiunon dhe se faqe si Facebook mund të përfitojnë nga ato që thoni.
404 Media zbuloi për herë të parë ekzistencën e shërbimit Active-Listening të CMG në dhjetor 2023.
Një ditë më vonë, ata ekspozuan një kompani të vogël marketingu të AI të quajtur MindSift që mburrej në një podcast për përdorimin e altoparlantëve të pajisjeve inteligjente për të synuar reklamat.
Edhe pse mund të duket e habitshme, Active-Listening është krejtësisht i ligjshëm, pretendoi CMG në një postim në blog të fshirë që nga nëntori 2023.
“Ne e dimë se çfarë po mendoni. A është kjo edhe e ligjshme? Përgjigja e shkurtër është: po. Është e ligjshme që telefonat dhe pajisjet t’ju dëgjojnë”, thuhet në postim.
“Kur shkarkimi ose përditësimi i një aplikacioni të ri u kërkon konsumatorëve të miratojnë një marrëveshje të kushteve të përdorimit, e shtypur diku me gërma të imta është edhe Active-Listening”.
Kjo mund të shpjegojë se si CMG po u shpëton problemeve ligjore në shtetet me ligje të ashpra për përgjimin që ndalojnë regjistrimin e dikujt pa dijeninë e tij, si Kalifornia.
CMG nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së DailyMail.com për koment dhe nuk i është përgjigjur ende pyetjeve të ngjashme nga faqet e tjera të lajmeve, duke përfshirë Futurism dhe Gizmodo.
CMG është një konglomerat mediatik amerikan me qendër në Atlanta, Georgia. Kompania ofron shërbime të mediave transmetuese, mediave dixhitale, reklamave dhe marketingut dhe gjeneroi 22.1 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2022.
Burimi: Daily Mail/ Përgatiti për Hashtag.al