Verim Zendeli sjell “Here and Now” në GOCAT: Një udhëtim përmes kohës dhe hapësirës

18 September 2025, 14:39Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Verim Zendeli sjell “Here and Now” në GOCAT: Një
Here and Now në GOCAT: Një reflektim i thellë mbi të tashmen

Galeria GOCAT ka hapur tashmë dyert e ekspozitës “Here and Now”, një projekt që vendos në qendër rëndësinë e së tashmes dhe e ballafaqon publikun me intensitetin e tij. Ky cikël veprash të artistit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Verim Zendeli, shënon një kapitull të guximshëm në krijimtarinë e tij dhe një nga reflektimet më të ndjera e personale të këtij rrugëtimi artistik.

E frymëzuar nga filozofia e Walter Benjamin, i cili konceptonte “here” dhe “now” si metafora për hapësirën, kohën dhe autenticitetin, ekspozita ndërton një rrëfim të shumëfishtë ku kujtesa dhe identiteti ndërthuren me realitetet shoqërore, ekonomike e politike të ditëve tona. Këtu, përvoja individuale dhe kujtesa kolektive kthehen në art që reziston, provokon dhe fton në dialog.

Ekspozita, e kuruar nga Jelldez Asani dhe Elton Koritari, vjen si vlerë e shtuar në programin e Galerisë.

“Zendeli ndërton veprat e tij mbi idetë e Benjamin-it, duke krijuar jo vetëm objekte, por edhe takime. Forca e ‘Here and Now’ qëndron në mënyrën se si e shndërron të menjëhershmen në kuptim një dialog të drejtpërdrejtë midis veprës, hapësirës dhe publikut,” u shpreh Jelldez Asani.

 Për vetë artistin, kjo ekspozitë është ndoshta më sfiduesja, por njëkohësisht edhe më e dashura për të.

“‘Here and Now” është ndoshta projekti im më sfidues, por edhe ai që e ndiej më pranë zemrës. Ta shoh të realizuar këtu në Tiranë, në këtë hapësirë frymëzuese, ka për mua një domethënie të veçantë. Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Fondacionit Mane dhe Galerisë GOCAT për mbështetjen e tyre dhe realizimi të vizionit tim,” tha Verim Zendeli.

Ekspozita u vizitua në hapje edhe nga Samir Mane, themelues i Fondacionit Mane, i cili ka mbështetur zhvillimin e Galerisë GOCAT si një hapësirë e rëndësishme kulturore në Tiranë. Bashkë me të ishin edhe figura të njohura nga bota e sipërmarrjes në Maqedoninë e Veriut.

Ekspozita “Here and Now” është e hapur për publikun në Galerinë GOCAT, Tiranë, me hyrje të lirë. Vizitorët janë të mirëpritur nga e marta deri të dielën, prej orës 10:00 deri në 18:00, deri më 20 tetor 2025.



Video