Shefi i NASA-s kërkon rikthimin e Plutoni në listën e planetëve

1 Maj 2026, 17:37Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Plutoni

Kanë kaluar saktësisht 20 vjet që kur Plutoni u përjashtua nga klubi i planetëve, por siç duket disa ende refuzojnë ta pranojnë këtë ulje në status.

Jared Isaacman, miliarderi mik i Elon Musk që u emërua së fundmi administrator i NASA-s, deklaroi të enjten në Kongres se Plutoni duhet të rikthehet në listën e planetëve.

Ai shtoi se NASA “po punon për disa publikime me qëllim që të mobilizojë komunitetin shkencor dhe të rishqyrtojë çështjen”. Nuk është e qartë se cilave publikime iu referua.

Plutoni u zbulua në vitin 1930 nga astronomi amerikan Clyde Tombaugh dhe për 76 vite mbajti titullin e planetit të nëntë dhe më të largët të Sistemit Diellor.

Pamja filloi të ndryshojë në vitet 2000, kur u zbuluan disa trupa të tjerë me madhësi të ngjashme, si Erida, e cila ndodhet më larg nga Dielli dhe ka masë më të madhe se Plutoni.

Nëse Plutoni do të konsiderohej planet, atëherë e njëjta gjë do të duhej të vlente edhe për botë të tjera të largëta. Pas një debati të fortë, Bashkimi Ndërkombëtar Astronomik ndryshoi në vitin 2006 përkufizimin e planetëve duke vendosur tre kritere.

Që një trup të konsiderohet planet, duhet të ketë mjaftueshëm masë për të marrë formë sferike. Gjithashtu duhet të rrotullohet rreth Diellit dhe të ketë “pastruar” orbitën e tij nga trupa më të vegjël si asteroidët.

Plutoni i plotëson dy kriteret e para, por jo të tretin. Kështu, ai u riklasifikua në kategorinë e planetëve xhuxh, ku përfshihen edhe Erida, Ceres, Makemake dhe Haumea.

Ky përkufizim i ri mbetet i debatueshëm, pasi disa astronomë besojnë se planetët duhet të përcaktohen nga vetitë e tyre të brendshme dhe jo nga prania e trupave të tjerë në të njëjtën orbitë.

Në një intervistë të dhënë në mars për Daily Mail, Isaacman ishte shprehur në favor të rikthimit të Plutonit në kategorinë e planetëve.

Administratori i NASA-s iu rikthye sërish temës të enjten, kur iu përgjigj një pyetjeje nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton propozimin e administratës Trump për buxhetin e NASA-s.

Disa astronomë u shqetësuan nga fakti që Isaacman, nga njëra anë mbron Plutonin, ndërsa nga ana tjetër mbështet propozimin e qeverisë për të përgjysmuar buxhetin.

“Pyetja nëse duhet ta quajmë Plutonin planet shpërqendron nga çështjet e vërteta shkencore”, komentoi për Nature Amanda Hendrix nga Instituti i Shkencës Planetare në Boulder, Kolorado.

“Është e çmendur të ‘bëjmë Plutonin planet përsëri’ ndërkohë që shkatërrohen karrierat e shkencëtarëve që e studiojnë atë”, shkroi në Blue Sky shkencëtarja planetare Adina Denton.


Video