Makinat dikur ishin simboli i fundit i lirisë, një mjet që të lejonte të ikje larg syve të botës. Por sot, ajo ndjenjë e bukur e pavarësisë po zhduket me shpejtësi. Kur uleni pas timonit të një makine moderne, ju nuk jeni vetëm.
Automjeti juaj është shndërruar në një spiun të heshtur, një “kompjuter mbi rrota” që mbledh çdo detaj të jetës suaj, nga mënyra si i jepni gazit e deri te shprehjet më intime të fytyrës suaj. Ky është një realitet i ri ku makina juaj di pothuajse gjithçka për ju, dhe ky informacion po shitet pa mbarim.
Sipas raporteve të fundit, makinat janë bërë pajisjet më të këqija për privatësinë tonë. Ato janë të mbushura me sensorë që nuk pushojnë kurrë. Sensorët në sedilje ndjejnë peshën tuaj, kamerat e brendshme vëzhgojnë nëse po kruani hundën apo nëse jeni të përlotur, ndërsa mikrofoni regjistron këngët që këndoni apo bisedat që bëni.
Disa kompani, si Kia, kanë shkuar deri aty sa në politikat e tyre të privatësisë përmendin mbledhjen e të dhënave edhe për jetën seksuale apo shëndetin e shoferit. Edhe pse kompanitë thonë se kjo bëhet për siguri, mbetet pyetja: pse u duhen këto detaje kaq personale?
Ky problem nuk mbetet vetëm te privatësia, pasi po godet drejtpërdrejt xhepat e shoferëve. Prodhuesit e mëdhenj, si General Motors, janë kapur duke u shitur të dhëna detajuar ndërmjetësve të informacionit.
Këta të fundit ua kalojnë të dhënat kompanive të sigurimit. Imagjinoni të zbuloni se çmimi i siguracionit tuaj është rritur me 20 për qind vetëm sepse makina ka treguar që ju keni frenuar pak si fort në një kthesë para tre muajsh.
Ky lloj monitorimi i vazhdueshëm po e kthen rrugën në një provim të pandërprerë ku çdo gabim i vogël ju kushton para. E ardhmja duket edhe më e frikshme. Ligje të reja po vijnë që do t’i detyrojnë prodhuesit të vendosin kamera infra të kuqe për të parë nëse jeni të dehur apo të lodhur.
Ndonëse synimi është të shpëtohen jetë, nuk ka asnjë rregull që i ndalon këto kompani t’i përdorin këto pamje biometrike për të krijuar profile psikologjike për ju. Deri në vitin 2030, pothuajse çdo makinë në rrugë do të jetë e lidhur me internetin, duke dërguar pafund të dhëna në “icloud’ pa ndaluar asnjë sekondë.
Por, a mund të bëjmë diçka për ta ndalur këtë? Edhe pse sistemi është ndërtuar që ne të themi “Po” pa menduar, ka disa hapa të vegjël. Mos u regjistroni në programe që premtojnë ulje çmimi nëse pranoni të monitoroheni.
Kontrolloni cilësimet e makinës dhe çaktivizoni çdo opsion që thotë “ndarje e të dhënave me palët e treta”. Nëse jeni në Evropë, përdorni të drejtën tuaj ligjore për të kërkuar që kompania t’i fshijë informacionet që ka për ju.
Në fund të fundit, duhet të kuptojmë se kur blejmë një makinë sot, ne nuk po blejmë thjesht një mjet transporti, por po pranojmë një vëzhgues të përhershëm në jetën tonë private. Kush po e nget vërtet makinën tuaj? Me shumë mundësi, janë korporatat që po fitojnë nga çdo kilometër që ju bëni.