Kampionati Botëror ka filluar por kurrsesi vëmendja nuk hiqet nga një video, e cila ka pushtuar rrjetet sociale, ku shihet një person që puth këngëtaren Shakira në tribunat e stadiumit gjatë një ndeshjeje të Kupës së Botës.
Ngjarja ndodhi më 22 qershor në stadiumin e Dallasit, ku Shakira po ndiqte ndeshjen mes Argjentinës dhe Austrisë, e cila përfundoi 2-0 në favor të Argjentinës.
Gjatë transmetimit, kamera e fokusoi këngëtaren në një suitë luksoze, ku u pa duke marrë një puthje në faqe nga një person i panjohur, çka shkaktoi menjëherë reagime në rrjet.
Pamja e burrit nuk ishte e qartë pasi ai mbante kapelë, duke nxitur shumë spekulime dhe komente në platformën X, ku përdoruesit pyesnin kush ishte personi që e kishte puthur.
Pak minuta më vonë, u zbulua se bëhej fjalë për djalin e saj 13-vjeçar, Milan, i cili ndodhej pranë saj në stadium dhe ishte ai që e kishte puthur në faqe.
Shakira ka dy djem, Milan dhe Sasha, me ish-partnerin e saj Gerard Piqué, me të cilin u nda në vitin 2022 pas 11 vitesh lidhje.
Shakira është këngëtarja e cila tashmë është kthyer në një imazh të Kampionateve Botërore, duke dhuruar spektakël me këngët e saj që kanë shoqëruar këtë event sportiv ndër vite.
Ajo ishte protagonistja kryesore e hapjes së kampionatit edhe këtë herë, ku me një performancë energjike interpretoi këngën “Dai Dai”, kënga zyrtare që shoqëron këtë Botëror.