
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, jo vetëm që nuk ka dënuar sulmin terrorist në veri të Kosovës, por ka gjetur rastin që të përhapë të pavërteta në një intervistë për “CNN”.
Përballë gazetares së njohur Christian Amanpour, Vuçiç deklaroi se “Serbia është e fundit që do incidente”.
”Duam një prani më të madhe të KFOR-it në veri të Kosovës; Serbia është e fundit që do incidente në Kosovë”, tha ai.
Më tej, Vuçiç mori në mbrojtje terroristët serbë, që siç po tregojnë faktet e deritanishme ishin trajnuar nga ushtria serbe, duke thënë se “ata po mbronin veten”.
Gjatë intervistës, nuk kanë munguar replikat e gazetares Amanpour, e cila e ka përballur me fakte konkrete kundër asaj çka po deklaronte Vuçiç.
Vuçiç tha më tej se ushtrinë serbe në kufi me Kosovën nuk e dërgoi për të hequr vëmendjen nga sulmi terrorist.
“Jo aspak nuk ishte rasti, në ushtrinë tonë njerëzit e ndjekin situatën dhe i lëvizin forcat tona në atë mënyrë që ata besojnë se mund të jetë më e dobishme dhe ata kanë operacionet e tyre. Nuk kam firmosur as për gatishmëri të lartë për popullin tonë të ushtrisë”, ka thënë Vuçiç.