Vuçiç e cilësoi “fitore të vogël taktike”, Kurti: Në Bruksel u arrit dakordësi për targat, por jo marrëveshje

24 Nëntor 2022, 16:55Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Albin Kurti, Aleksander Vucic dhe perfaqesuesit e BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje, por dakordësi për targat.

Deklaratën, Kurti e bëri këtë të enjte teksa mbante fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës plenare.

“Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, theksoi ai.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targat është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Kryediplomati evropian, Josep Borell tha se më 23 nëntor, se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel për targat.

Sipas BE-së, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa me emra të qyteteve të Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat, Borell paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Video