VIDEO/ Protestat kundër dëbimeve shpërndahen në gjithë SHBA-në!

10 Qershor 2025, 09:00Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Prej katër ditësh, Los Anxhelosi është përfshirë nga përleshje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit, në kuadër të protestave kundër dëbimeve të emigrantëve.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa trazirat janë përhapur edhe në qytete të tjera si San Francisko, Nju Jork, Atlanta, Sietëll dhe Dallas.

Në qendër të Los Anxhelosit, pranë zonave Little Tokyo dhe Arts District, policia ka arrestuar dhjetëra protestues, të cilët janë shoqëruar me duart e lidhura pas shpine.

Në përpjekje për të shpërndarë turmat, forcat e rendit përdorën granata trullosëse dhe plumba plastikë.

Protestuesit janë filmuar duke qëlluar me objekte ndaj policisë.

Policia largoi edhe një ekip të CNN nga zona e protestës, ndërsa dy pjesëtarë të stafit të sigurisë së tyre u arrestuan përkohësisht, por u liruan pa akuza.

Protestat janë përhapur në mbarë vendin. Në San Francisko janë arrestuar të paktën 150 persona, ndërsa qindra të tjerë në qytete të tjera.

Mbi 1.700 trupa të Gardës Kombëtare janë dislokuar vetëm në zonën e Los Anxhelosit, ndërsa presidenti Donald Trump urdhëroi edhe 2.000 të tjera të vendosen në terren.

Rreth 700 marinsa janë aktivizuar gjithashtu.

Kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, akuzoi administratën federale se po përdor qytetin si “eksperiment ushtarak”, duke i hequr kompetencat autoriteteve vendore.

Ajo hodhi poshtë pretendimet se qyteti “po pushtohet nga emigrantë të paligjshëm dhe kriminelë”, duke theksuar se gjithçka ishte paqësore para ndërhyrjes së ushtrisë.

Shteti i Kalifornisë ka paditur administratën Trump, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dislokimit të Gardës Kombëtare dhe shpalljen e veprimit si antikushtetues.

Ndërkohë, ministrja e Brendshme Kristi Noem deklaroi në Fox News se protestat janë “profesionalisht të organizuara” dhe se protestuesit janë të paguar, pa dhënë asnjë provë.

Video