Shefja e stafit të presidentes, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka përgënjeshtruar deklaratën e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, se Osmanit i janë ofruar 30 nënshkrime.
Hollaj ka thënë se presidentes nuk i janë ofruar nënshkrimet.
“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”.
Nagavci, në konferencë për media, tha se Osmanit i janë ofruar 30 nënshkrime, por ajo nuk i ka pranuar. Pas reagimit të Hollajt, e pyetur nga gazetarët, Nagavci deklaroi se po tregojnë gatishmëri që t’ia ofrojnë tani asaj 30 nënshkrime.
Vetëvendosja nuk ka sqaruar nëse do ta mbështesë Osmanin me votë përballë Konjufcës, ose nëse kandidatura e Konjufcës do të tërhiqet.
Kryeministri Albin Kurti, sa herë është pyetur nga gazetarët gjatë ditëve të fundit për mundësinë që emri i Osmanit të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje për një mandat tjetër, ka refuzuar të përgjigjet.
Osmani ka shprehur gatishmëri të plotë për të marrë edhe një mandat në krye të Presidencës, por nuk ka marrë përkrahje as nga pozita e as nga opozita.
Osmani ka paralajmëruar se, edhe nëse nuk arrin të marrë një mandat të dytë, do të mbetet e pranishme në skenën politike të Kosovës.