
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti ka propozuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera të propozojnë kandidatin e tyre.
Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se për të thirrur një seancë për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.
“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se kemi edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.
Duke propozuar Konjufcën, LVV-ja tha në Facebook se si subjekt politik “është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara”.
“Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, tha partia në pushtet.
I menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare.
Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi”.
Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.
Nga Partia Demokatike e Kosovës (PDK), deputetja Vlora Çitaku tha se “tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”.
Çitaku shkroi në Facebook se “në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike”.
Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë “derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike”.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill, ndërsa sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.