Trump pas telefonatës me Putin: Do të takohemi sërish në Hungari

16 Tetor 2025, 20:04Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trump dhe Putin

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një telefonatë të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin.

Trump u shpreh se telefonata ishte “e mirë dhe produktive” dhe shtoi se ai dhe Putin do të takohen së shpejti në Hungari.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se këshilltarët e nivelit të lartë të Uashingtonit dhe të Moskës, do të takohen gjatë javës së ardhshme.

“Unë dhe Presidenti Putin do të takohemi më pas në Budapest të Hungarisë, për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj lufte të palavdishme midis Rusisë dhe Ukrainës”, thotë ai.

Po ashtu, Trump premtoi se bisedën e tij të sotme me Putin, do e diskutojë dhe nesër, në takimin që do të ketë me presidentin ukrainas, Volodymor Zelenskyy.

Telefonata vjen në një moment vendimtar, vetëm një ditë para takimit të Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Bisedimet me dy liderët, rus dhe ukrainas, vijnë teksa Trump po shqyrton mundësinë për t’i dhënë Ukrainës raketa Tomahawk, armë me rreze të gjatë, që mund të godasin objektiva të rëndësishëm brenda territorit rus.

Kremlini ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi përmbajtjen e bisedës apo mundësinë e një takimi të ri mes dy liderëve.

Takimi i fundit mes Trump dhe Putinit ndodhi më 15 gusht në Alaskë, ku të dy u përpoqën të gjenin rrugë për një marrëveshje paqeje mbi luftën në Ukrainë, por pa sukses të dukshëm.

Trump, i cili gjatë fushatës zgjedhore premtoi se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda disa ditësh, ka pranuar kohët e fundit se zgjidhja e konfliktit ka qenë më e vështirë sesa e kishte parashikuar.

Ndërkohë, marrëdhëniet me Zelenskyn janë përmirësuar ndjeshëm muajt e fundit, dhe takimi i së premtes në Uashington pritet të fokusohet tek mbështetja ushtarake amerikane për Kievin, përfshirë kërkesën e Ukrainës për raketat Tomahaëk.

Trump tani ka ndryshuar pozicionin e tij dhe është shprehur se Ukraina mund ta rifitojë të gjithë territorin e saj në kufijtë e saj, një qëndrim që bie ndesh me deklaratat e tij të mëparshme. Një takim i ri mes Trump dhe Putin mund të jetë vendimtar për të ardhmen e luftës dhe për përpjekjet ndërkombëtare për paqe.


Video