Shtëpia e Bardhë: Armëpushimi në Gaza vijon, por Hamasi të ndalë ekzekutimin e kolaboracionistëve

16 October 2025, 19:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shtëpia e Bardhë: Armëpushimi në Gaza vijon, por Hamasi
Gaza

Pesë ditë pas fillimit të armëpushimit në Rripin e Gazës, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ai (armëpushimi) po respektohet dhe se Hamasi nuk e ka shkelur marrëveshjen.

Kjo është bindja e zyrtarëve amerikanë, e ndarë me gazetarët në një telefonatë zyrtare.

Sipas dy këshilltarëve presidencialë amerikanë, situata mbetet e ndërlikuar dhe ka tre elementë kryesorë që përcaktojnë ecurinë.

Ndihmat humanitare

Izraeli nuk i ka ndërprerë ndihmat. Po zhvillohen bisedime mes SHBA-ve dhe OKB-së për të përmirësuar hyrjen dhe shpërndarjen e ushqimeve dhe ilaçeve në Gaza.

Çmilitarizimi i Hamasit (Faza 2):

Qëndrimi i SHBA-ve mbetet i pandryshuar – qëllimi është çarmatosja e plotë e Hamasit, megjithëse nuk pritet që militantët të dorëzojnë vetë armët.

Procesi është i vështirë, në zonat që janë ende nën kontrollin e Hamasit, por SHBA-të po punojnë me të gjitha palët për një Gaza më të sigurt, për civilët dhe për Izraelin.

Ekzekutimet e “tradhtarëve”

Ka raportime për vrasje hakmarrëse nga Hamasi, të personave të akuzuar si bashkëpunëtorë me Izraelin apo pjesëtarë të grupeve rivale.

Sipas këshilltarëve, SHBA-të dhe ndërmjetësit arabë i kanë kërkuar Hamasit t’i japë fund këtyre veprimeve.

Ndërkohë, Izraeli ka premtuar hapjen e zonave të sigurta brenda Gazës, ku mund të strehohen ata që ndihen të kërcënuar.

Rikthimi i trupave dhe rindërtimi

Për momentin, ndërsa kalimi nga faza e parë në të dytën po ndodh, çështja e rikthimit të trupave të pengjeve të vdekur mbetet delikate.

Edhe pse presidenti amerikan Trump kishte kërkuar kthimin e çdo trupi, tani SHBA-të po e shohin me realizëm faktin se në Gaza, ku shumica e ndërtesave janë rrënuar, kërkimi është shumë i vështirë.

Megjithatë, janë kthyer pengjet e gjallë, siç ishte rënë dakord dhe trupat e viktimave po kthehen gradualisht. Ka shumë rreziqe, për shkak të mjeteve shpërthyese, të pashpërthyera në rrënoja.

Për të ndihmuar, një ekip prej 81 specialistësh turq do u bashkohet kërkimeve.

Për fazën e rindërtimit

SHBA-të dhe ndërmjetësit po përgatiten për fazën e rindërtimit të Gazës.

Sipas informacioneve, banorët e Gazës nuk do të detyrohen të largohen nga Gaza gjatë kësaj faze. Rindërtimi do të fillojë në zonat, që nuk janë më nën kontrollin e Hamasit.

Gjithashtu, për stabilizimin e situatës, pritet vendosja e një force ndërkombëtare paqeruajtëse (ISF). Disa vende kanë shprehur tashmë gatishmërinë për të marrë pjesë: Indonezia, Egjipti, Katari, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në përfundim, SHBA-të theksojnë se është ende herët për të folur për paqe të qëndrueshme, por armëpushimi është një hap pozitiv dhe janë duke punuar, për të shmangur kthimin e dhunës./ La Stampa


Video