Të vetët i kërkojnë dorëheqjen, kryebashkiaku i Nju Jorku mbron marrëdhënien me Trump: Do të flas me kë të dua

28 February 2025, 17:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të vetët i kërkojnë dorëheqjen, kryebashkiaku i Nju
Eric Adams dhe Trump

Kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, i kërkoi një gjykatësi federal të mërkurën që të mbyllë çështjen për korrupsion ndaj tij, me pretendimet për shkelje nga prokuroria, madje edhe pasi Departamenti i Drejtësisë kërkon rrëzimin e akuzave ndaj demokratit që kandidon për një mandat të dytë.

Në dokumentet e depozituara në gjykatën federale të Manhatanit, avokatët e demokratit Adams pretendojnë për shkelje nga ana e prokurorisë pas rrjedhjes së një letre që prokurorja e atëhershme, Danielle Sassoon, i dërgoi Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ku shpjegonte se pse nuk duhet të rrëzohen akuzat.

Mes të tjerash, në letrën e saj, Sassoon paraqiti dorëheqjen, pasi nuk mund të pranonte udhëzimin e Nënprokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Emil Bove, për të rrëzuar akuzat ndaj kryebashkiakut demokrat dy javë më parë.

Bove i kishte shkruar një letër zonjës Sassoon, ku theksonte rëndësinë e zotit Adams për të ndihmuar në përparësitë e Presidentit Trump për zbatimin e ligjit, veçanërisht në luftën kundër imigracionit të paligjshëm dhe krimit të dhunshëm. Ai tha gjithashtu se akuzat po ndërhynin në garën zgjedhore të këtij viti për postin e kryetarit të bashkisë.

Edhe Presidenti Donald Trump i ka dalë në mbrojtje zotit Adams.

“M’u duk se ishte shumë politike”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, kryebashkiaku Eric Adams këmbënguli se ai do të "flasë me kë të dojë", ndërsa mbrojti marrëdhënien e tij me Presidentin Trump dhe sinjalizoi se Big Apple do të punojë me Shtëpinë e Bardhë për të zbatuar regjistrin e saj në internet të emigrantëve të paligjshëm.

Ai sulmoi kritikët mes thirrjeve nga e majta që të japë dorëheqjen për gatishmërinë e tij për të punuar me Shtëpinë e Bardhë për krizën kufitare –në mënyra që administrata Trump ta ndihmojë të hedhë poshtë çështjen federale të korrupsionit kundër tij.

“Ka një nivel bufonerie që po ndodh, që po përhapet po aq shpejt sa COVID. “Epo, mirë, nuk duhet të flasësh me presidentin”, tha Adams duke iu referuar kritikëve, por pa folur me emra.

“Unë jam kryebashkiaku i qytetit më të madh në Amerikë. Unë do të flas me kë të dua, për të sjellë shërbime në qytetin tuaj”, tha ai, ndërsa u bë viral.


Padia e ngritur në muajin shtator nga prokurorët në Manhatan ndaj Adams e akuzon atë se ka marrë mbi 100,000 dollarë kontribute të paligjshme për fushatën dhe bileta udhëtimi nga një zyrtar turk dhe të tjerë që kërkonin të blinin ndikim gjatë kohës që demokrati Adams ishte drejtues i lartë në Bruklin.

Adams përballet me kundërshtarë të shumtë në zgjedhjet paraprake brenda demokratëve në qershor. Ai ka këmbëngulur se është i pafajshëm.


Video