
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, mbajti një konferencë për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit. Ai saktësoi se qeveria e tij do të shkarkohet nga parlamenti i Podgoricës, ndërsa akuzoi partnerët e koalicionit për marrëveshje të fshehtë me partinë e presidentit, Milo Gjukanoviç.
Krivokapiç u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin në protesta. “Kam qenë i përkushtuar për një Mal të Zi të shëndetshëm dhe jetë dinjitoze të qytetarëve. Është spekuluar se do të jap dorëheqjen, disa më kanë bindur se kjo është mënyra më e mirë. Unë them se për mua nuk ka rëndësi nëse do të jem kryeministër sot apo dhe një ditë më shumë. Dua që qytetarët të shohin kush është kush në Mal të Zi. E di që të nesërmen do të pushoj së qeni kryeministër, sepse zoti Gjukanoviç u pajtua me atë pjesë të koalicionit të përbashkët që u shpreh me vullnetin e qytetarëve në 30 gusht 2020, dhe në atë mënyrë ai testament shkatërrohet absolutisht. Kanë rënë maskat, kush dëshiron ta shohë mundet, kush nuk dëshiron, nuk ka pse. Kam hyrë në politikë për shkak të miratimit të Ligjit për lirinë e besimit dhe me miratimin e tij e realizova qëllimin dhe ia plotësova amanetin njeriut të cilit i premtova se përveç ligjit do të rriten edhe pagat. Unë jam i pastër para popullit”, deklaroi kryeministri malazez.
Qeveria e Malit të Zi është në prag të rrëzimit pas mosmarrëveshjeve të koalicionit qeveritar të krijuar nga partitë opozitare që përmbysën qeverinë e Milo Gjukanoviçit pas 30 vitesh pushtet.
Krerët e tre koalicioneve opozitare, pas krijimit të Qeverisë më 20 gusht 2021 i ndanë pozicionet e tyre drejtuese në shtet: Zdravko Krivokapiç (Frontit Demokratik) është zgjedhur kryeministër, Dritan Abazoviç (Lëvizja URA) për zëvendëskryeministër, dhe Aleksa Beçiç për kryetar Kuvendi (Partia DCR).
Kriza e pushtetit për shkak të mosmarrëveshjeve partiake, midis Kuvendit dhe Qeverisë, e po ashtu edhe brenda vetë Qeverisë, ka rezultuar me kërkesat për shkarkimin e të gjithë këtyre udhëheqësve në Mal të Zi.
Abazoviç kërkon shkarkimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Krivokapiç. Kryeministri Krivokapiç kërkon shkarkimin e Abazoviçit. Opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Beçiç.
Partia e Abazoviçit, Lëvizja Qytetare URA, së bashku me parti të tjera, ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiçit. Për këtë mocion do të votohet në Kuvend më 4 shkurt.
Në qoftë se Qeveria e Krivokapiçit shkarkohet ditën e nesërme, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së re një grupi politik, i cili është në gjendje që për propozimin e vetë të sigurojë 41 vota mbështetëse në Kuvend për propozimin e tij.