
Një panel ekspertësh në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, të shtunën votuan për të rekomanduar vaksinat e COVID-19 për fëmijët deri në gjashtë muajsh, duke kërkuar që procesi të fillojë që në javën e ardhshme.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave autorizoi të premten vaksinën e Moderna për fëmijët nga gjashtë muaj deri në 5 vjeç dhe vaksinën Pfizer-BioNTech për fëmijët e moshës gjashtë muaj deri në 4 vjeç. Vaksina e Pfizer është tashmë e autorizuar për fëmijët mbi 5 vjeç.
Administrata e Presidentit Joe Biden ka në plan që javën e ardhshme të shpërndajë vaksinat për grupmoshat nën 5 vjeç.
Shumë prindër në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që fëmijët e tyre të vaksinohen, por është e paqartë se sa e madhe do të jetë kërkesa për vaksinat.
Vaksina Pfizer-BioNTech u autorizua për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç në tetor, por vetëm rreth 29 për qind e këtij grupi deri më tani është plotësisht i vaksinuar, tregojnë të dhënat federale.