
Pesë shtetase kroate, përfaqësuese të organizatave joqeveritare që morën pjesë në eventin e organizuar nga "Erste Stiftung" në Beograd, kaluan një pjesë të mirë të natës në policinë e Beogradit, e cila përfundimisht i dëboi nga Serbia mëngjesin e sotëm dhe ua ndaloi hyrjen në vend për një vit.
Në vendimin që u është lëshuar si shkak i deportimit, janë shkruar “arsyet për mbrojtjen e sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”. Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme kroate janë informuar për gjithçka dhe pritet një reagim.
Siç rrëfeu historiania e artit Ana Kovaçiç nga Zagrebi, e cila përfaqësonte kolektivin kuratorial “What, How & for Who/WHW”, eventet zgjatën dy ditë, të hënën dhe të martën, dhe morën pjesë rreth 15 persona nga Kroacia, Rumania, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Pasi përfunduan “workshopin”, dje, pjesëmarrësit shkuan për një pije dhe u kthyen më pas në hotel rreth orës 23:30.
“Na pritën në holl burra me rroba civile, të cilët na u afruan, na treguan distinktivët e tyre për një sekondë dhe thanë se ata ishin “policë të huaj” dhe se do të duhej të shkonim me ta në stacion. Ata nuk iu përgjigjën asnjë pyetjeje, thanë se nuk ishin të detyruar ta bënin një gjë të tillë. Asgjë nuk ishte e qartë për ne, na morën dokumentet dhe na urdhëruan të prisnim në holl”, tha thotë Kovaçiç.
Pas rreth një ore, personat u kthyen dhe, dy nga dy, i çuan pjesëmarrësit e seminarit në stacionin policor.
“Më morën me dy kolege të tjera. Me të vërtetë nuk na interesonte, burrat pa uniformë na morën dy rrugë më tutje dhe na kërkuan të hipnim në një makinë të pa shënjuar. Nuk e dinim kush janë, nuk i përgjigjen asnjë pyetjeje, nuk e dimë se ku po shkojmë. Nuk e di se çfarë do të bëja po të isha vetëm”, tha Kovaçiç. Në makinë, thotë ajo, njëri prej tyre u tha se kishin një urdhër arresti dhe la të kuptohej se një nga shoqatat, përfaqësuesit e së cilës morën pjesë në “workshop” ishte "e dyshimtë".
"Ata na sollën në stacion, shumica e kolegëve tanë nga "workshopet" ishin tashmë atje. Ata i morën në pyetje që zgjati një orë. Më vonë, ata më thanë se ishin marrë në pyetje se në cilën shkollë të mesme kanë mbaruar, në cilin fakultet, në cilat organizata punojnë, kush i financoi, për çfarë ishte seminari, çfarë kanë bërë konkretisht, nëse janë takuar me dikë në Beograd dhe pse. etj", thotë Kovaçiç.
Kur i erdhi radha asaj dhe dy kolegëve të tjerë nga Kroacia, vazhdon ajo, tashmë ishte ora 4 e mëngjesit. Ata i thirrën në dhomën e tyre por, thotë ajo, nuk i pyetën asgjë sepse turni i tyre po mbaronte.
"Na dhanë një dokument me shkrim cirilik dhe na kërkuan të firmosnim. Thashë se e nuk e kuptoj mirë ciriliken dhe iu luta të na e përkthenin. Ata na lexuan disa fjali dhe thanë se në atë dokument shkruhej se ne "kërcënojmë sigurinë e Republikës së Serbisë", se duhet të largohemi nga vendi brenda 24 orëve dhe se na është ndaluar hyrja në Serbi për një vit" thotë Kovaçiç.
"Erste" ka mbajtur një program të workshop-eve të tilla për ish-Jugosllavinë, Evropën Qendrore dhe Lindore që nga viti 2015, si pjesë e Akademisë së OJQ-ve Erste, dhe Kovaçiç merr pjesë në 4-5 prej tyre në vit. Kjo nuk është hera e parë që ato mbahen në Beograd.
Ky sulm ndaj organizatave joqeveritare në Serbi nuk duket rastësor, dhe vjen në një kohë kur presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka i ka sulmuar ato publikisht duke i akuzuar se kërkojnë ta rrëzojnë nga pushteti. Vuçiç po përballet me presion të madh për dorëheqje nga protestat disa mujore të studentëve serbë në vend.