
Tre gjyqtarë të Gjykatës Supreme në Kosovë dhe tre zyrtare, janë bllokuar në ashensor për mbi 40 minuta.
Gjykata Supreme në një reagim për media ka bërë të ditur se është dashur ndërhyrja e Ndihmës së Shpejtë dhe Policisë.
Supremja ka fajësuar Ministrinë e Brendshme të Kosovës për këtë rast.
Sipas njoftimit, për 40 minuta sa ishin të bllokuar, ashensori kishte lëvizje të pakontrolluara.
Njoftimi:
Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe stafi mbështetës tash e një vit janë duke punuar në kushte të pasigurta pune, si pasojë e ashensorëve të cilët bllokohen dhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, e të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sot, për rreth 40 minuta janë bllokuar brenda ashensorit tre gjyqtarë dhe tri zyrtare të Gjykatës, dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse.
Gjyqtarët dhe stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Rastet e ngjashme të vitit të kaluar dhe rasti i sotëm shton nevojën që kjo çështje të mos neglizhohet më tutje, por të trajtohet me seriozitet dhe institucionet kompetente ta marrin seriozisht situatën dhe të krijojnë kushtet e punës duke siguruar se jeta e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës është e sigurt.