
Parlamenti i Irakut miratoi sot disa ligje që kritikët thonë se do të legalizojnë në mënyrë efektive martesën e fëmijëve në moshën 9-vjeçare.
Ndryshimet në ligjin e statusit personal të Irakut do t'u japin gjykatave islamike autoritet më të madh mbi çështjet familjare, duke përfshirë martesën, divorcin dhe trashëgiminë, një ndryshim dramatik në ligjin e unifikuar të familjes dhe masat mbrojtëse për gratë, të krijuar në vitin 1959.
Ligji irakian aktualisht përcakton moshën 18 vjeç si moshën minimale të martesës në shumicën e rasteve, por ndryshimet e miratuara të martën do t'i lejojnë klerikët të vendosin sipas interpretimit të tyre të ligjit islamik.
Disa nga këto interpretime lejojnë martesën e vajzave në adoleshencën e tyre të hershme, ose në moshën nëntëvjeçare, sipas shkollës Ja'afari të ligjit islamik të ndjekur nga shumë autoritete fetare shiite në Irak.
Përkrahësit e ndryshimeve, të cilat u mbështetën nga ligjvënës kryesisht konservatorë shiitë, i mbrojnë ato si një mjet për të harmonizuar ligjin me parimet islame dhe për të zvogëluar ndikimin perëndimor në kulturën irakiane.
Por Intisar al-Mayali, një aktiviste për të drejtat e njeriut dhe një anëtare e Lidhjes së Grave të Irakut, tha se miratimi i amendamenteve të ligjit të statusit civil "do të lërë efekte katastrofike mbi të drejtat e grave dhe vajzave nëpërmjet martesës së vajzave në moshë të hershme".
“Kjo cenon të drejtën e tyre për të jetuar si fëmijë dhe do të prishë mekanizmat mbrojtës për divorcin, kujdestarinë dhe trashëgiminë e grave”, deklaroi aktivistja.