Konflikti për pronat për pak sa nuk përfundoi në vrasje, si u parandalua krimi në Pukë!

29 Shkurt 2024, 11:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Pukë. Policia njofton se një 50-vjeçar ka kërcënuar me armë zjarri fqinjin e tij.

Si pasojë, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë të mundur arrestimin në kohë të burrit.

Dy fqinjët në fshatin Micoj, Fushë-Arrëz u konfliktuan për pronat. 

Njoftimi i policisë:

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Kanosi me armë zjarri kallashnikov, fqinjin e tij, gjatë një konflikti për motive pronësie, Policia arreston në flagrancë 50-vjeçarin.

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe një krehër me fishekë, që i posedonte 50-vjeçari, pa leje.

Pasditen e djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë marrë njoftim për një konflikt për motive pronësie mes 2 shtetasve, në fshatin Micoj, Fushë-Arrëz.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në këtë fshat dhe si rezultat i veprimeve të shpejta, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit 50 vjeç.

Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri  kallashnikov, fqinjin e tij, shtetasin 35 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe një krehër me fishekë, të cilat shtetasi i mbante pa lejen përkatëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

Video