Vrasja e Arben Lleshit mund të ketë kushtuar deri 1 milion euro, çfarë zbulon Mjacaj në dëshmi për futjen e armës në qeli

28 Shkurt 2024, 22:55Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viktima Arben Lleshi dhe Sokol Mjacaj

Mendohet se pjesëmarrësit në këtë skemë, kanë operuar të pavarur nga njëri-tjetri. Edhe nëse dikush prej tyre mund të zbulohet, është thuajse e pamundur të bashkohen të gjitha hallkat e zinxhirit për të shkuar deri të organizatori dhe porositësi. I gjithë operacioni kriminal, mendohet se mund të ketë kushtuar disa qindra- mijëra, deri në 1 milion euro.

“I gjithë ky organizim shumë i mirë kërkon edhe kosto të mëdha financiare, këto kosto nënkuptojnë edhe faktin që nuk është i thjeshtë, por shumë i ndërlikuar që do çojë patjetër në rezultat kriminal”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.

“Një ndërmarrje e tillë është jashtëzakonisht e kushtueshme nga ana financiare, kërkon bashkëpunim të gjerë, investime brenda dhe jashtë që lë të kuptosh me atë gjendje që kishte ky i dënuar, e ka të pamundur të kryejë gjithë këtë organizim për një ekzekutim brenda burgut vetëm për një grindje momentale”, u shpreh ish-drejtori i burgut të Peqinit, Faik Basha.

Pyetja e parë që ngrihet është pikërisht mënyra se si u fut arma në qeli, duke i shpëtuar disa kontrolleve deri te qelia, pa harruar kontrollet periodike që do të duhej të bëheshin brenda qelisë.

Mjacaj: “Përpara 22-23 ditësh, ditën e saktë nuk e mbaj mend, unë kam futur në qeli një armë zjarri të cilën e kisha porositur nga jashtë burgut. Detajet se ku e porosita, tek cili person dhe mënyrën se si e kam futur në IEVP Peqin dua ti them në një moment të dytë. Arma e zjarrit ishte me mulli, e modelit Smith, dhe kishte gjithsej 5 fishekë. Për këtë armë pagova 500 euro dhe më ka ardhur 1 javë pasi e porosita”.

“Për mendimin tim edhe vetë i dyshuari nuk e di si është futur arma, mendoj që i është dhënë nga një nga të dënuarit e tjerë që e ka kontraktuar, nuk besoj u kontraktua nga jashtë por nga një i dënuar tjetër me prestigj, ai se ka idenë si u fut arma por thjesht i është vënë në dispozicion për kryerjen e vrasjes”, u shpreh pedagogu, Kreshnik Myftari.

Arma është futur në periudhën mes datave 22-25 nëntor sipas dëshmisë së Mjacajt dhe dyshimeve të grupit hetimor që mbështeten me kryqëzimin e provave të tjera. Prokuroria arrestoi 12 punonjës të burgut nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Mes tyre, drejtues dhe ish drejtues të burgut apo Policisë së atij institucioni. Gjykata e Apelit, i liroi dhe askush prej tyre nuk ndodhet prapa hekurave.

“Këta persona që ju thoni janë thjesht shpërdorues detyre, apo bashkëpunëtor në vepër penale që është futja e sendeve të jashtëligjshme, dhe unë avancoj më tej bashkëpunim në vrasje se futja e sendeve është, sigurim i sendeve dhe kushteve dhe përbën vepër më vete”, ish-prokurori, Eugen Beci.

“Skema e sigurisë e këtyre institucioneve dhe këtij institucioni e ka të qartë, në regjimin e brendshëm nuk futet asnjë person, qoftë pjesë e stafit ao drejtues, pa u kontrolluar”, u shpreh ish-drejtori i burgut të Peqinit, Faik Basha.

Sokol Mjacaj kërkonte prej kohësh transferimin në sektorin ku vrau Lleshin, zbulohet kush dha aprovimin

Vetë titullari i institucionit Kamber Hoxha, ka marrë detyrën si i komanduar në 22 nëntor 2023. Lëvizja e Sokol Mjacajt në sektorin ku ndodhi krimi ishte kryer vetëm 3 ditë para krimit, saktësisht në 12 Dhjetor 2023. Ai, prej kohësh këmbëngulte të afrohej në sektorin 1 ose 2, pikërisht pranë Arben Lleshit. Kjo këmbëngulje e tij i kishte rënë në sy edhe viktimës Lleshi. Duhet theksuar se të dënuarit, nuk kanë aksese dhe kontakte mes sektorëve, që janë të ndarë. E vetmja mënyrë që ai ti afrohej Lleshit, ishte transferimi në sektorin 1 ose 2, që ishin ngjitur dhe i ndanin rrjetat e telit në ajrim.

Mjacaj: “Kërkova të transferohesha tek sektori 1 ose 2 I godinës B, kur isha te sektori 4 godina A, por ata më çuan tek sektori 6, godina B. Pra, 3-4 ditë kisha që më çuan në sektorin 1 të godinës B.

Është propozuar lëvizja e të dënuarit Sokol Mjacaj nga dhoma 3, sektori 6, kati 2, Godina B për në dhomën 9, sektori 1 Kati 2, Gdina B për arsye sistemimi me përshtatje. Kjo lëvizje është miratuar nga drejtori Kamber Hoxha dhe shefi i Policisë Nikolin Gjonpalaj”.

Ky vendim transferimi brenda regjimit, është ndoshta i fundit i miratuar nga drejtori i Policisë Gjonpalaj. Rezulton se ai ka dorëzuar detyrën pikërisht në datën 12 Dhjetor, ditën e akomodimit të Mjacajt në dhomën që e afroi në sektorin pranë Arben Lleshit. Ai e kishte marrë detyrën vetëm në 21 Nëntor 2023, 1 ditë para se të komandohej edhe drejtori Kamber Hoxha.

“Si drejtuesit e institucionit dhe drejtuesit e policisë së burgjeve, pavarësisht nga lëvizjet që kanë pasur para apo pas veprës penale, kam fjalën për transferimi e tyre, duhet mbajnë përgjegjësi, por duhet ndajë hetimi, neglizhencë apo bashkëpunim se janë dy gjëra të kundërta”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci

Në dëshmi, sqarohet se brenda pak ditëve, dy drejtuesit ishin marrë me sistemimin e disa të burgosurve, ku përfshihej edhe Mjacaj. Pra, ai më në fund ishte transferuar në sektor pranë Arben Lleshit.

Kamber Hoxha: “Në detyrën e shefit të policisë deri më datë 14.12.2023 ka qenë shtetasi Nikolin Gjonpali. Me marrjen e detyrës më datë 22.11.2023 është marrë me organizimin e punës dhe sistemin e disa të dënuarve që nuk ishin akomoduar për shkaqe të ndryshme në dhomat e akomodimit në sektor, situatë të cilën e ka mësuar nga struktura vartëse e policisë”.

Brenda kësaj periudhe ka ndodhur futja e armës në burg, teksa vrasja ndodhi 2 ditë pas largimit të shefit të policisë.

Kjo, përbën një prej cedimeve më të rënda. Duket e pamundur që autorët të kenë futur armën pa bashkëpunojë të brendshëm.

“Në skemën e sigurisë përcaktohet qartë mënyra se si bëhen kontrollet, si futesh në regjime ku janë minimalisht 3 chekime që bëhen para se të kalosh dhe bëhet sterilizim i plotë i efektivëve, familjarëve apo avokatë, prokurorë që vijnë”, u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit.

A u fut arma e krimit në burg nga një prej oficerëve?! Pse zyrtari refuzoi detyrën e drejtorit të Policisë…?!

Në gjithë këtë histori, interesant është edhe qëndrimi i oficerit Qani Muça. Atij i kanë ngarkuar detyrën e Drejtorit të Policisë së Burgut, edhe pse nuk ka pranuar. Kjo vërtetohet me faktin se nuk ka firmosur pranimin e postit pasi ia komunikoi drejtori Hoxha.

Qani Muça: “Që në momentin e komunikimit, i kam deklaruar Drejtorit të Institucionit se nuk jam pyetur dhe as nuk më është marrë mendimi për t”u emëruar në këtë detyrë dhe se për arsye personale nuk mendoj se jam në gjendje ta kryej këtë detyrë dhe nuk do të pranoj marrjen e saj”.

“Sigurisht ka qenë në dijeni të gjendjes sigurisë, por ska qenë në dijeni ca mund të ndodhë sigurisht por kur një punonjës ka përpara faktin që cedojnë element sigurie do merrte përsipër një detyrë të tillë”, u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit

Ekzistojnë dy pista për mënyrën e futjes së armës brenda burgut. Prokuroria dyshon se arma e krimit është futur në qelinë e Mjacajt përmes pajisjeve elektroshtëpiake. Por, nuk përjashtohet mundësia që pistoleta të jetë futur e fshehur në trupin e ndonjërit prej punonjësve të policisë. Për këtë ekzistojnë dy skenarë. Ose është lejuar punonjësi i policisë, ose duhet të jetë dikush që ka autoritetin mbi stafin e sigurisë të kalojë pa u kontrolluar. Kjo pistë, është marrë seriozisht në konsideratë duke analizuar të gjitha rrethanat dhe cedimet brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Mendoj që përveç faktit që ka bashkëpunëtorë brenda të burgosurve, patjetër e pamundur mos ketë bashkëpunim me personelin e ruajtjes, personelin, policinë e gjithçka që ka të bëjë me sigurinë në burg. E pamundur një thyerje kaq e rëndë e sigurisë nëse nuk ka bashkëpunëtor dhe organizim shumë të mirë”, u shpreh Eugen Beçi, ish-prokuror.

“Pistë e vetme mbetet ajo e futjes duke përdorur ndoshta disa hapësira të krijuara dhe vëzhguara por edhe përmes bashkëpunimit të 1,2 apo 3 punonjësve qoftë të sigurisë qoftë familjarë apo civilë që punojnë në institucion”, u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit

Siç u bë publike edhe përmes një raporti të drejtorit Kamber Hoxha, në burgun e Peqinit ka pasur probleme me skanerin që nuk ka funksionuar në periudha të gjata. Por, ky nuk është faktor determinant në futjen e armës pasi çdo hyrje-dalje në burg, i nënshtrohet edhe kontrolleve fizike.

Nuk duhet harruar se kontrollet në qeli që janë permanente dhe bëhen 2 herë në javë. Me sa duket, kjo gjë nuk ka ndodhur. Madje, konstatohet kontradiktë mes dëshmisë së drejtorit Kamber Hoxha dhe shefit të regjimit Vilson Shima. Ky i fundit, ka nxjerr zbuluar faktin se qelia e Mjacajt nuk ishte kontrolluar prej kohësh.

Kamber Hoxha: “Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë patur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjësit e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore”.

Vilson Shima: “Dua të them se kontrolli i dhomës dhe fizik i shtetasit Sokol Mjacaj është bërë rreth para 1 muaj e 15 ditësh, nga kontrolli nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm.

Në dëshminë e Mjacajt, mes rreshtave kuptohet sikur ai mbron punonjësit e Policisë. Ai thotë se kontrollet janë realizuar por ka arritur ta fshehë armën. Një dëshmi që nëse e ballafaqon me deklaratën e oficerit Shima, ngre dyshimet se mund të synojë të mbulojë diçka.

Mjacaj: “Unë e fshihja në një kuti qumështi bosh, kuti të cilën pasi e hapja e mbyllja me atak. Kur kishte kontrolle unë hapja kutinë, armën e merrja e mbaja në brez dhe më pas e fusja prapë në kuti, prapë e mbyllja kutinë me atak.

Në të vërtetë, mendohet se arma është fshehur në VC e tualetit e cila nuk ishte funksionale. Kjo zbulohet edhe nga dëshmia e shtetasit Ëngjëll Uçaj, një i moshuar i dënuar përjetë i cili ndante qelinë me Mjacajn. Ai ka deklaruar se para vrasjes, dëgjoi zhurma të çuditshme që vinin nga tualeti.

Zbulohet dëshmia, debati i Sokol Mjacajt me Arben Lleshin pak kohë para ekzekutimit

Mjacaj “Para se të vija në këtë sektor, para dy muajve, unë e pashë Arbenin që po bënte ajrosje dhe unë isha në qelinë time e cila përkonte me vendin ku po bënte ajrosje Arbeni. E pyeta nga dritarja pse kishte hapur fjalë për mua dhe ai filloi të më provokonte duke më pyetur pse kërkoja të shkoja në sektorin e tyre dhe më tha disa fjalë që nuk më pëlqyen, sikur nënkuptonte diçka.”

Kjo alibi e Mjacajt, konsiderohet jo bindëse nga grupi hetimor. Thyerja e sigurisë për futjen e armës, kërkon lidhje të fuqishme jashtë të cilat nuk mund ti kishte një njeri si Mjacaj. Ai, ka kryer vrasje të tmerrshme, por, është larg të qenit i sofistikuar.

Ajo që bie në sy nëse i referohesh dosjes hetimore, janë verifikimet e hapura ndaj një emri të njohur të botës së krimit. Fjala është për shtetasin Fran Marashi, një prej të dënuarve për masakrën e Urës Vajgurore në 17 Qershor 1997.

Marashi, së bashku me disa miq të tjerë nga Shkodra, ishte bashkuar me familjen e të fortit të Urës Vajgurore, Musa Protoduari. Ata, u përfshinë në një përplasje brutale pas një mitingu të forcave të majta në Berat. Blindi i policisë u qëllua me antitank nga grupi i Protoduarve pranë vilës së tyre në qendër të Urës Vajgurore. 4 prej policëve u dogjën brenda blindit ndërsa 6 të tjerë u plagosën.

Për ngjarjen, u dënua në mungesë edhe Fran Marashi, ndaj të cilit, kishte disa dëshmi që konfirmonin pjesëmarrjen në atë masakër.

Marashi u arrestua në vitin 2007 dhe u ekstradua në Shqipëri. Në vitin 2009, tentoi të arratisej nga qelia. Pavarësisht viteve në burg, ai konsiderohet njeri me lidhje dhe ndikim të fuqishëm jashtë. Kontaktet e mundshme që ka pasur në burg me autorin e vrasjes së Arben Lleshit, Sokol Mjacajn, po verifikohen nga grupi hetimor.

Në listën e gjatë të dokumenteve të marra nga grupi hetimor, është edhe dosja hetimore e Marashit.

“Organet ligjzbatuese përdorin informatorë, vendi me informatorët me të bollshëm, ndihmojnë organet, gardianët, policinë e burgjeve për rendin e sigurinë në burg. Kjo mund të jetë një ndër arsyet që merret një dosje tillë” u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror

Në këto momente, procesi ndaj Marashit është hapur për rigjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Marashi arriti ta fitojë këtë të drejtë me pretendimin se nuk kishte dijeni për procesin e parë ndaj tij, duke iu shkelur të drejtat themelore.

Nuk dihet pse është kërkuar dosja penale e tij, pasi Marashi nuk ka pasur asnjë lidhje apo konflikt me të ndjerin Arben Lleshi. I vetmi dyshim që mund të lindë mund të jetë shkëmbimi i favoreve por edhe në këtë drejtim, nuk ka të dhëna.

 

Video