“Kishim shkëputur çdo kontakt me të pas vrasjes në Angli”, pretendimi tronditës i familjes Lleshi: Trupi i pajetë nuk i përket Arbenit

28 Shkurt 2024, 23:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Lleshi

Historia nis në 10 Prill të vitit 2012 në Britaninë e Madhe, në qytetin e Sauthemptonit. Atë ditë, policia vendase e gjeti të shkrumbuar brenda mjetit të tij tip Mercedez trupin e viktimës Agim Hoxha, nga fshati Shtjefën i Matit. 

Ai ishte vrarë diku tjetër dhe autorët e krimit kishin djegur trupin për të humbur gjurmët. Policia vendase identifikoi si autor të krimit pikërisht shtetasin Arben Lleshi nga fshati Rrokaj i Matit. Në të shkuarën, Lleshi dhe Hoxha kishin qenë shok. Sipas raportimeve të mediave britanike, mendohet se konflikti kishte nisur pas një mosmarrëveshje për tregtimin e një sasie kokaine. Një aktivitet në të cilin viktima dhe autori i krimit kishin bashkëpunuar prej vitit 2006.

Pas vrasjes ne Britani, familja Lleshi u distancua nga Arbeni dhe shkëputi çdo kontakt me të. Këtë, e konfirmon motra e tij në një rrëfim telefonik me Inside Story.

“Në moshën 15 vjeçare, Arbeni emigroi drejt Anglisë  i ndihmuar nga një mik i familjes tonë. Atje u dorëzua në një familje angleze ku qëndroi për shumë vite nën kujdesin e tyre. Ne vitin 2012 ai na telefonoi dhe na tha që kishte marrë dokumentat. Në Prill të vitit 2012 ai erdhi në Shqipëri. Ai ndejti vetëm 10 ditë. Ne nuk dinim asgjë çka kishte ndodhur në Angli. Dhe ai u nis për Angli dhe në pamë në lajme qe ai ishte arrestuar nga Interpoli në Itali. Ku më pas filluan në Angli hetime lidhur me këtë ngjarje. Sipas mediave dhe lajmeve ai u shpall fajtor nga gjykata britanike, por ai gjithmonë e ka mohuar vrasjen për të cilën akuzohej”.

Në debat e sipër, Arbeni e kishte goditur me sende të forta Hoxhën dhe trupin e pajetë e dogji diku tjetër për zhdukjen e gjurmëve. Në fund, ai u dënua me 32 vite burg. Në vitin 2016 u deportua në Shqipëri për të kryer dënimin në atdhe. Fillimisht në burgun e Fushë-Krujës dhe së fundi në Peqin ku edhe u ekzekutua.

“Pas një periudhe ai u ekstradua në Shqipëri ku ne përsëri nuk dinim gjë për ardhjen e tij në Shqipëri. Ne morëm vendimin për arsye të kësaj ngjarje të rëndë që kishte ndodhur për të mos e takuar kurrë”.

Pretendimi tronditës i familjes Lleshi: Arbeni në trup nuk kishte…

Arben Lleshi, është viktima e fundit e familjes së tij në serinë që dyshohet se lidhet me hakmarrjen. 4 të vdekur dhe 1 i zhdukur është bilanci tragjik me eliminimin e Arbenit, atij që konsiderohej si shkaktari i nisjes së gjakderdhjes.

Sipas informacioneve, edhe dy muaj pas krimit të rëndë, familjarët e Lleshit nuk kanë pranuar të bëjnë tërheqjen e trupit të pajetë që gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Më 15 Dhjetor ne morëm vesh nëpërmjet mediave qe ai u vra në burg. Po atë ditë në orën 8 te darkës jemi kontaktuar nga burgu që trupi i Arbenit ndodhej në morgun e Tiranës dhe se ne duhet të paraqiteshim në morgun e Tiranës. Dhe në ditën e 5-të ne shkuam tek morgu për të dhënë konfirmimin për ta varrosur shteti dhe punonjësja na tha që të konfirmonim kufomën dhe pastaj ajo tha që ju e dini shkakun e vdekjes së Arbenit që ai ka vdekur nga kanceri. Dhe ne i thamë jo, ai është vrarë në burg”.

Ne kemi mësuar se familja ka ngritur dyshime se trupi i pajetë nuk i përket Arben Lleshit. Në këtë pikë, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize krahasuese ADN-je. Një provë shkencore që do të bindë familjen tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Po ashtu, pritet që familjarët të bëjnë edhe njëherë identifikimin fizik. 

“Dhe ne kur pamë kufomën ai nuk kishte asnjë ngjashmëri me Arbenin dhe trupi aty nuk kishte as plumb dhe Arbeni ka patur një shenjë në fytyrë që në vegjëli. Ne si familjarë nuk kemi dhënë as analizë ADN dhe asgjë dhe ne nuk kemi kërkuar asgjë nga shteti, ju mund ta varrosni kur të doni, por ai nuk është trupi i tij”.

Video