Pas bujës së shpërnguljes së festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, në kryeqytetin e Kosovës është anuluar edhe mbajta e festivalit “Beerfest Kosova”.
Ky festival ishte planifikuar të mbahej më 24 deri 26 qershor, por organizatorët njoftojnë se janë detyruar ta anulojnë për shkak se nuk do lejohet të mbahet në vendin ku ka qenë gjithmonë (parkingu, prapa pallatit të Rinisë në Prishtinë).
Sipas policisë së Kosovës, ky vend nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
Organizatorët akuzojnë autoritetet se ende nuk kanë marrë përgjigje edhe psë kanë dërguar kërkesë që në fillim të muajit Mars. Ata bëjnë me dije se janë në kërkim të një vendi të ri për organizimin e këtij festivali.
“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion.
Për neve si organizator ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.
Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.
Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.
Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.
Ne do t’ ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e organizatorëve.