Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë

13 July 2023, 15:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë
Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas dhunës në seancën e sotme parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Osmani e dënon dhunën, duke thënë se nuk është mjet për adresimin e pakënaqësive, dallimeve apo mosmarrëveshjeve.

“Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shprehet ndër të tjera Osmani, në një mesazh drejtuar politikanëve.

Dhuna në Kuvend shpërtheu pasi një deputet i PDK-së spërkati me ujë kryeministrin Albin Kurti, teksa ky i fundit ndodhej në foltore. Më pas situata doli jashtë kontrollit.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t'i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t'i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, shkruan Osmani.


Video