Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka kërkuar të zbardhet sa më parë zjarrvënia në shtëpinë e një serbi banor në fshatin Veriq të Istogut.
Teksa ka vizituar shtëpinë e këtij të fundit, Sveçla ka kërkuar që të gjitha resurset e nevojshme të angazhohen në mënyrë që rasti të zbardhet sa më parë.
“Republika e Kosovës është dhe do të mbetet demokratike, vend ku jetojnë qytetarët të lirë e të barabartë, pa asnjë dallim përkatësie a prejardhje. Dhe për këto vlera do të jemi të pakompromis”, shkruan Zveçla në rrjetet sociale.
Më i ashpër ka qenë edhe reagimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili gjithashtu e ka vizituar shtëpinë e serbit dhe e ka dënuar fort ngjarjen.
“Kjo shtëpi në Istog ka pësuar zjarrvënie kriminale. E vizitova për ta parë vetë, me lejen e familjes, e cila synonte të kthehej në pronën e tyre. Unë e dënoj këtë sulm me zjarrvënie dhe këtë përpjekje për të frikësuar një familje që të mos ushtrojë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
Zjarrvënia në shtëpinë e serbit është ende pa autor.