Shkaku i saktë i shpërthimeve të aparateve "pager" në Liban nuk është konfirmuar ende, dhe lajmet të reja po dalin çdo minutë. Deri më tani, ekspertët që folën për CNN thanë se shpërthimet ka shumë të ngjarë të jenë shkaktuar nga manipulimi i harduerit dhe jo një teori tjetër e një shkeljeje të sigurisë kibernetike që shkakton ngrohjen dhe shpërthimin e baterive të litiumit, por asnjëra nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Me pak fjalë, pajisja juaj e komunikimit nuk rrezikohet të shpërthejë nëse nuk është e manipuluar dhe e veshur paraprakisht me eksploziv, thanë ekspertët që folën për CNN.
"Pagers" janë pajisje me valë që mund të dërgojnë mesazhe pa lidhje interneti. Megjithëse ato kanë humbur popullaritetin ndaj telefonave celularë, disa fusha si kujdesi shëndetësor ende varen prej tyre.
Justin Cappos, një profesor i sigurisë kibernetike në NYU, tha se është e mundur të shkaktohet dëmtim i një sërë baterish, më së shpeshti bateritë litium, të cilat kanë shkaktuar zjarre të rrezikshme. Por ai tha se duket sikur "pajisjet janë projektuar qëllimisht për të shpërthyer kur aktivizohen, dhe jo ato që përdor pjesa tjetër e botës".
"Nëse jeni një person i zakonshëm me një bateri litium-jon, nuk do të shqetësohesha shumë për këtë," tha Cappos.
Baptiste Robert, një studiues i sigurisë kibernetike dhe CEO i Predicta Lab, tha se në vend që të hakoheshin, "pager"-at ka të ngjarë të jenë modifikuar përpara dërgimit. Ai tha se shkalla e shpërthimit duket se tregon se është një sulm i koordinuar dhe i sofistikuar.
Kur bëhet fjalë për sigurinë e baterive, Shoqata Kombëtare e Mbrojtjes nga Zjarri ka një sërë udhëzimesh sigurie për bateritë e litiumit, siç është asgjësimi i duhur i tyre. Shoqata tha gjithashtu se njerëzit duhet të ndalojnë përdorimin e pajisjeve me bateri litium-jon nëse bateria tregon ndonjë shenjë dëmtimi për shkak të rrezikut të zjarrit ose shpërthimit.
Është e paqartë se çfarë lloj baterie kishin pagerët në fjalë. Një burim libanez sigurie i tha CNN se Hezbollahu i kishte blerë së fundmi pajisjet.
Shpërthimet lanë të paktën 9 të vdekur dhe mbi 3000 të plagosur.