Jo vetëm Ukraina, BE nis procesin e anëtarësimit edhe për Gjeorgjinë e Moldavinë

11 April 2022, 20:52Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Jo vetëm Ukraina, BE nis procesin e anëtarësimit edhe për

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Oliver Varhelyi i dorëzoi Gjeorgjisë dhe Moldavisë dokumentet zyrtare të ashtuquajtura “pyetësorë”, përmes të cilëve Bashkimi Europian vlerëson gatishmërinë e vendeve për t’iu bashkuar Unionit, një hap thelbësor për fillimin e një procesi të gjatë anëtarësimi.

“Dokumenti është hapi i parë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ne jemi gati të përparojmë shumë shpejt. Pra, sa më shpejt ta plotësoni, aq më shpejt do të jemi në gjendje t'i paraqesim një opinion Këshillit Europian”, tha Varhelyi duke iu drejtuar ministrit të Jashtëm moldav, Nicu Popescu dhe ministrit të Jashtëm gjeorgjian, Ilia Darchiashvili në Luksemburg.

Moldavia dhe Gjeorgjia aplikuan për anëtarësim në bllok pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Gjithashtu, Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE për shkak të pushtimit rus. Në kuadër të një gjesti solidariteti, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i dorëzoi personalisht një pyetësor Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, gjatë vizitës së saj në Kiev më 8 prill.

Dokumenti shërben si bazë për bisedimet e pranimit në BE. Pyetësori në fjalë, siç kërkohet nga Këshilli Europian, synon të ndihmojë Komisionin që në bazë të përgjigjeve të marra të ndërtojë opinionin e tij lidhur me aplikimin e vendeve për anëtarësim në Union.


Video