
Forcat ukrainase po qëndrojnë kundër Rusisë në qytetin port jugor të Mariupolit, thonë zyrtarët, pavarësisht disa raporteve që sugjerojnë se beteja po i afrohej fundit. Nënkryetari i bashkisë Serhiy Orlov tha për BBC se "betejat për Mariupolin vazhdojnë".
Ai gjithashtu mohoi raportet për një brigadë detare, e cila postoi në Facebook për mbarimin e municioneve dhe përballjen me një "betejë të fundit".
"Informacioni për marinsat është i rremë. Unë nuk komentoj falsifikime."
"Rusët pushtuan përkohësisht një pjesë të qytetit. Ushtarët ukrainas vazhdojnë të mbrojnë pjesët qendrore dhe jugore të qytetit, si dhe zonat industriale e kështu me radhë", tha Orlov.
Në një postim në Facebook, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase Valerii Zaluzhnyi tha se ushtria kishte ende linja të qëndrueshme dhe të hapura komunikimi me ushtarët e saj brenda qytetit.
Ushtria po bën "të mundshmen dhe të pamundurën" për të shpëtuar jetë dhe për të luftuar kundër forcave ruse, shkroi ai.
Mariupol shtrihet midis rajoneve pro-ruse separatiste Donetsk dhe Luhansk në lindje dhe Krimesë së aneksuar në jug. Marrja e qytetit ka qenë qëllimi kryesor i ofensivës ruse.
Zyrtarët perëndimorë po paralajmërojnë se kjo është një "dritare tepër e rëndësishme" për mbështetje jetike për Ukrainën, pasi Rusia përgatitet të dyfishojë, ose trefishojë forcën goditëse që ka në rajonin lindor të vendit, Donbas.
Në konferenca, zyrtarët thonë se Rusia po ripajis njësitë e saj luftarake dhe po shton trupa të reja - gjë që do të marrë kohë. Ndërkohë, ndihma ekonomike dhe ushtarake perëndimore për Ukrainën mund të jetë e vlefshme në përgatitjen për çdo ofensivë të rinovuar.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se dhjetëra mijëra njerëz ishin vrarë në Mariupol.
BBC nuk e ka verifikuar shifrën, por raportet nga rajoni dhe refugjatët që ikën nga qyteti flasin për trupa të shtrirë në rrugë dhe shumica e ndërtesave të dëmtuara, ose të shkatërruara.