“Jam plotësisht i pafajshëm”, nis seanca e parë e gjykimit për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë

3 April 2023, 10:14Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Jam plotësisht i pafajshëm”, nis seanca e parë e

“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm”, kështu ka deklaruar ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Hagë. 

Të njëjtën gjë që kanë deklaruar edhe tre të pandehurit e tjerë Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kur janë pyetur nga gjyqtari.

Në Dhomat e Specializuara ka nisur seanca e parë gjyqësore. Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin.

Prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë, janë krijuar pas votimit më 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ky institucion, që njihet edhe si Gjykata Speciale, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime.

Po ashtu, aty përmenden më shumë se 400 persona që dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm, 102 të vrarë dhe 20 të zhdukur.

 


Video