Një kontingjent prej rreth tridhjetë ushtarësh gjermanë mbërritën në Bosnjë e Hercegovinë më 16 gusht si pjesë e misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në shtetin e trazuar ballkanik. Ky veprim është kritikuar menjëherë nga Ambasada ruse.
Rikthimi i trupave gjermane në misionin e EUFOR-it për herë të parë në një dekadë pasqyron shqetësimin e Perëndimit mbi forcat centrifugale etnike dhe politike në Bosnje dhe rrezikun e mundshëm të përhapjes gjeopolitike të konfliktit nga lufta në Ukrainë.
EUFOR-i javën e kaluar njoftoi vendosjen e afërsisht 50 trupave të forcave të ushtrisë gjermane në ish-republikën jugosllave, e cila mbetet e ndarë në një federatë boshnjake dhe kroate dhe një entitet kryesisht serb i njohur si Republika Srpska, sipas kushteve të një armëpushimi të vitit 1995 të njohur ndryshe si Marrëveshja e Dejtonit.
Mbërritja e rreth 30 trupave shihet si “një demonstrim i mëtejshëm i përkushtimit të BE-së për një të ardhme të qëndrueshme, të begatë dhe evropiane për të gjithë qytetarët” e Bosnjës.
EUFOR-i tha pas mbërritjes së trupave gjermane në kampin Butmir se “kontingjenti i përparuar i personelit gjerman që mbërriti këtë javë pritet të pasohet nga trupa të mëtejshme të dislokuara në faza të ndryshme”.