Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) ka arrestuar tre persona të tjerë për përfshirjen e tyre të dyshuar në sulmin terrorist në sallën e koncerteve në periferi të Moskës, raporton Reuters.
FSB tha në një deklaratë se të dyshuarit u arrestuan në qytetet ruse të Moskës, Yekaterinburg dhe Omsk. Ata janë një shtetas rus dhe dy shtetas të huaj nga Azia Qendrore.
Sipas deklaratës dy nga të arrestuarit transferuan para për blerjen e armëve të zjarrit dhe automjeteve të përdorura në sulmin terrorist, ndërsa i treti rekrutoi bashkëpunëtorë për sulmin dhe financoi autorët.
Nga sulmi që ndodhi më 22 mars në sallën e koncerteve Crocus City Hall në veriperëndim të Moskës, 144 civilë u vranë dhe 551 të tjerë u plagosën, sipas statistikave zyrtare ruse.