"Blitzkreig" hitlerian i Putinit po dështon në Ukrainë

24 February 2022, 19:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"Blitzkreig" hitlerian i Putinit po dështon në Ukrainë

Nuk janë mbushur ende 24 orë nga nisja e ofensivës ruse mbi Ukrainë, por sa më shumë zgjat ajo në, aq më të mëdha bëhen humbjet për Vladimir Putinin dhe këtë Presidenti rus e di.

Për këtë arsye, Kremlini zyrtar doli me një deklaratë ku tha se ishte i gatshëm që të ndalonte të gjithë ofensivën dhe tërhiqte trupat nëse Ukraina pranonte statusin e shtetit neutral dhe të demilitarizuar.

Por, në Kiev kjo deklaratë e Moskës është lexuar si pjesë e propagandës ruse për të krijuar përshtypjen se e ka situatën në kontroll, por që në të vërtetë nuk është kështu.

Ushtria ukrainase thotë se strategjia hitleriane e Putinit, “blitzkreig” dështoi dhe trupat ruse po sprapsen në Lindje e në veri të vendit. Kievi pretendon se i ka shkaktuar humbje të mëdha Rusisë në frontin lindor, ku thotë se në vijën e kontaktit në Donetsk dhe Luhansk ka sprapsur katër sulme duke u shkaktuar humbje të rënda rusëve.

E njëjta gjë raportohet edhe në veri.

“Strategjia ruse e blitzkreig dështoi! Qëndroni të fortë dhe ne do të fitojmë”, deklaroi shefi i Shtabit të Ushtrisë Ukrainase përmes kanaleve të komunikimit në rrjetet sociale.

Doktrina “Blitzkreig” u zbatua nga Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i saj ishte goditja e përqëndruar me trupa, materiale, tanke e forca ajrore duke krijuar epërsi numerike ndaj armikut, për ta demoralizuar atë dhe përhapur panik në radhët e tij.

Por, nëse në Ukrainë Rusia hyri me epërsi në tanke, avionë dhe sisteme të tjera artilerie, asaj i mungon në terren avantazhi numerik i trupave dhe kjo, sipas ekspertëve, po i shkakton humbje të mëdha ku në vetëm pak orë flitet për të paktën 70 tanke, avionë, helikopterë e mjete të blinduara të shkatërruara nga ushtria ukrainase.


Video