
35 kilometra rrugë, 65 milionë euro dhe 11 vite kohë dhe disa drejtorë të qarkulluar. As paratë, as koha, as distanca relativisht e shkurtër e rrugës Korçë-Ersekë dhe as ndryshimet në Autoritetin Rrugor Shqiptar nuk kanë mjaftuar që ky aks të përfundojë. Shembja e fundit e rrugës së re, që sipas premtimit të Qeverisë duhej përuruar në qershor të vitit të kaluar tregon abuzimin galopant me paratë e shqiptarëve në këtë aks.
Abuzimi nis që në qershor të 2013-s, kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Në atë kohë u hap tenderi për lotin e parë të rrugës me gjatësi rreth 18 kilometra, që u fitua nga kompania A.N.K, në pronësi të vëllait të ish-deputetit socialist, Ndue Kola. Kostoja e tenderit u përllogarit në rreth 17 milionë euro.
Por, atë qershor më shumë se sa ndërtimin e rrugës, Qeveria e Sali Berishës hapi tenderin për efekt elektoral. Deri në 2017-n, kompania dështoi ta përmbyllë rrugën, ndërsa ARRSh e drejtuar nga Dashamir Xhika, i akuzuar më vonë për korrupsion në rrugët Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Gjinar, dështoi t’i kërkojë llogari. Vjeshtën e 2017-s Xhika pasohet nga Afrim Qendro, që merr detyrën e kreut të ARRSh dhe hap një tender të ri me vlerë 4 milionë euro po për lotin e parë të rrugës. Arsyetimi ishte korrigjimi i projektit dhe zbutjen e pjerrësisë në Qafën e Qarrit.
Ironikisht, drejtorët u ndryshuan por fituesi në tenderat e rrugës Korçë-Ersekë jo. Kompania A.N.K., që kishte dështuar të përmbushë në kohë zotimet e saj për ndërtimin e kësaj rruge shpallet fituese edhe në tenderin e ri. Me këtë shtesë, vlera për lotin e parë të rrugës, me gjatësi gati 18 kilometra shkon në 21 milionë euro.
Por, abuzimet e mëdha nisin me Lotin e 2-të të rrugës, që u copëzua dhe u nda në dy pjesë. Tenderi u hodh në 2020, një vit pasi drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar u përfshi nga një periudhë tranzicioni, ku u largua Afrim Qëndro, më pas Sonila Qato dhe Vasilika Vjero, që qëndroi vetëm dy javë në këtë detyrë.
Postin e mori Ergys Verdho, që pasoi Afrim Qëndron e dorëhequr në janar të 2019-s. Çuditërisht, edhe pse drejtorët qarkulluan me radhë në krye të ARRSh, edhe tenderat për lotin e dytë të kësaj rruge u fituan po nga kompania A.N.K, që në pjesën e parë të lotit mori 20 milionë euro vetëm për 4 kilometra rrugë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me tenderin për pjesën e dytë me vlerë 21 milionë euro dhe me gjatësi gati 13 kilometra. Por, as këto para nuk mjaftuan që rruga të përfundojë. Me kërkesë të kompanisë, Qeveria e shtoi kontratën për pjesën e dytë edhe me 5 milionë euro të tjera përmes procedurës së modifikimit të kontratës. Kostoja e rrugës kapërceu 64 milionë eurot.
Por, kush është kompania që fshihet pas kësaj rruge?
Në 2018-n, Qeveria nisi të flasë më shumë për mundësinë e ndërtimit me koncesion të rrugës Milot-Balldre, një rrugë në terren fushor dhe me gjatësi pak më shumë se 17 kilometra. Një ofertë për ndërtimin e saj e kishte dorëzuar kompania A.N.K. Sipas përllogaritjes së kompanisë, ndërtimi i kësaj rruge në një terren fushor dhe për më tepër në gjurmët e rrugës ekzistuese do të kushtonte rreth 260 milionë euro, ose 15 milionë euro për kilometër.
Në kohën që dorëzonte këtë propozim, kompania deklaronte si kapital vetëm 4 milionë euro në QKB. Pyetja që ngrihej ishte se ku do të gjendeshin paratë për ndërtimin e rrugës? Në planin e propozuar nga kompania flitej për 70 milionë euro kredi nga bankat, ndërsa pjesa tjetër prej 190 milionë eurosh ishte e paqartë se nga do të mbërrinte.
Projekti dështoi, ndërsa Qeveria u tërhoq në heshtje duke e argumentuar këtë me emergjencën e shkaktuar nga tërmeti tragjik i vitit 2019.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.