Koncesionari i Butrintit presion punonjësve për t’u dorëhequr! OJF me plan biznesi miliona dollarësh

13 Shkurt 2024, 13:05Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Parku Kombëtar i Butrintit

Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka thënë fjalën e saj në lidhje me dhënien me koncesion të parkut arkeologjik të Butrintit.

Megjithatë, fondacioni që e ka marrë në dorëzim ka nisur punën dhe ndër vendimet e para të marra verbalisht është kërkesa e presioni ndaj të gjithë punonjësve aktualë të parkut që të japin dorëheqjen.

Ky është denoncimi që ka mbërritur në redaksinë e Voxnews.al nga punonjësit e parkut. Ata thonë se fundjavën e shkuar, drejtuesit e fondacionit u kanë kërkuar të gjithë punonjësve të administratës së mirëmbajtjes dhe ruajtjes së parkut që të japin dorëheqjen.

"Kërkesa pason një mori kërcënimesh e intimidimesh që janë shtuar përgjatë javëve e muajve të fundit ndaj nesh në pamundësi të gjetjes së shkeljeve në punë. Qëllimi është që të na detyrojnë që të dorëhiqemi”, thotë një punonjëse e administratës së Butrintit.

Aktualisht, punonjësit janë me kontrata punësimi të ofruara nga shtetit, që e menaxhonte plotësisht këtë park para se të kalonte në duart e fondacionit privat. Pas dhënies me koncesion, ata thonë se iu premtua që nuk do të prekeshin dhe të vijonin me punën si normalisht. E njëjta garanci, thonë burimet, ofrohet edhe në kontratën koncesionare të votuar në Kuvend, por që fondacioni privat nuk synon ta zbatojë.

Kontrata dhe plani i biznesit i vetë fondacionit parashikon shtimin e të punësuarve në parkun arkeologjik nga 14 që janë aktualisht deri në 110 vetë. Çështja është nëse shtimi i punonjësve do të jetë në dobi të mirëmenaxhimit të parkut dhe rritjes së punës shkencore në të, apo pjesë e një plani biznesi fitimprurës?

Milionat pas koncesionit

Përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që kanë shumicën në bordin drejtues të Fondacionit të Butrintit janë përpjekur që të shmangin fjalën koncesion, duke premtuar se do të investojnë 7 milionë dollarë në 10 vite, ndërsa të ardhurat e parkut nuk shkojnë më shumë se 500 mijë dollarë në vit.

Kjo do të thotë, sipas këtyre pretendimeve, se në këtë sipërmarrje fondacioni do të humbasë dy milionë dollarë. Por, plani i biznesit si dhe deklaratat shifra kontradiktore të dhëna nga përfaqësues të fondacionit dhe ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti ngrenë dyshime.

Sipas ish-ministres, në arkën e parkut janë 2.1 mln dollarë, ndërsa i gjithë plani i biznesit përfshin 7.1 mln dollarë. Diferenca prej 5 mln dollarësh, deklaronte Margariti kur mbronte koncesionin, do të vihet në dispozicion nga fondacioni. "Fondi shkon vetëm për programe të trashëgimisë kulturore. Paratë që do të shtohen do të shkojnë në kasën e Butrintit. Afërsisht 1 mln dollarë do të shkojnë për pjesën arkeologjike”, tha ministrja.

Por, deklaratat e Margaritit përgënjeshtrohen nga vetë plani i biznesit të fondacionit. Voxnews.al ka siguruar pjesë nga ky plan. Në të thuhet se investimi total përllogaritet në rreth 7.5 mln dollarë, ku pjesa më e madhe e parave do të shkojnë për ngritjen e strukturuave të reja për vizitorët dhe stafin, pra restorantet, baret dhe njësi të tjera akomodimi. Për këtë pjesë janë përcaktuar 60 për qind e fondeve, ose rreth 4 mln dollarë.

Për pjesën tjetër, pra atë shkencore dhe të ruajtjes së trashëgimisë janë përcaktuar 3.5 mln dollarët, nga të cilat 2.1 i ka vetë në arkë parku i Butrintit, ndërsa diferencën prej 1.4 milionë dollarë me të ardhurat aktuale parku është në gjendje t’i gjenerojë në rreth 15 muaj.

“Projekti në tërësi gjeneron sufiçit operativ vjetor në vitin 3 dhe suficit të akumuluar në vitin 7 ku ai operon me fitim prej afërsisht 1.5 milionë USD në vitin pasardhës”, shkruhet më tej në planin e biznesit. Marrëveshja parashikon gjithashtu që bordi i drejtorëve të fondacionit, një institucion me pesë vetë, nuk do të marrë paga, por atyre do t’u mbulohen shpenzimet për vete dhe një staf ndihmës prej pesë vetësh me një kosto të përgjithshme prej 140 mijë dollarësh në vit.

E thënë më thjeshtë, pesë anëtarët e bordit dhe pesë ndihmësit e tyre do të paguhen mesatarisht nga 28 mijë dollarë në vit, në një kohë që paga mesatare vjetore në Shqipëri është diku te 8 mijë dollar në vit.

***

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video