Prej muajsh përflitej se Edi Rama ja kishte prerë biletën e largimit Arben Ahmetajt dhe dyshohej se pengesë për këtë mund të ishte Ilir Meta, që si President mund të mos e dekretonte këtë largim. Ky dyshim përforcohet nga fakti që direkt në ditën e parë të punës së Presidentit të ri, Edi Rama i çon për të firmosur largimin e Ahmetajt nga posti.
Por, nëse kjo tezë mbetet në kuadrin e dyshimeve, ajo që Voxnews.al mëson me siguri është fakti që Ahmetaj po konsiderohej si barrë për qeverisjen e Edi Ramës në këtë mandat të tretë. Arsyeja? Akuzat e shumëfishta për abuzime në vlera me miliona euro te rindërtimi dhe firma e hedhur për inceneratorët.
Për rindërtimin prokuroria e Durrësit ka nisur hetime paraprake në lidhje me pretendimet e bëra nga grupe qytetarësh të prekur nga tërmeti, por edhe kompani të përfshira në këtë proces, ndërsa inceneratorët po hetohet nga SPAK.
Ahmetaj, (ministri që para kamerave dhe mikrofonit në Kuvend buxhetin e shtetit e konsideron si personal) premtoi përfundimin e procesit të rindërtimit në shtator të 2021. Më pas e shtyu për në pranverë të këtij viti, por procesi ende s’ka përfunduar.
Për më tepër, i gjithë procesi është shoqëruar nga akuza e dyshime për afera gjigante korruptive. Në të paktën tetë tendera, me vlerë rreth 20 mln euro, fituese janë shpallur kompani, pronarët e të cilave kanë pasur probleme me ligjin, përfshirë këtu edhe akuzuar për korrupsion.
Skandali thellohet me faktin që gjatë periudhës që është hapur njëri tender, dy pronarë të dy kompanive kanë qenë nën hetim për skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ata dyshohen se në bashkëpunim me firma të tjera prisnin fatura fiktive për të justifikuar punime dhe shërbime të pakryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Pavarësisht kësaj, ata janë shpallur fitues edhe pse ligji për prokurimin publik nuk lejon dhënien e tenderave kompanive të cilat kanë pronarë apo administratorë të dënuar, apo nën hetim. Nga rindërtimi kanë përfituar edhe kompani me pronarë të dënuar dhe nën hetim, pa ditur se cili do te ishte vendimi i gjykatës, çka do të rrezikonte ecurinë e kontratës për një proces emergjent siç ishte rindërtimi.
Keqmenaxhimi tjetër i Arben Ahmetajt lidhet me paaftësinë e tij për të thithur fonde nga donatorët, që u zotuan të ndihmojnë Shqipërinë me 1.1 mld euro. Por, mbi 600 mln euro të kësaj ndihme u kushtëzua me dërgimin e projekteve konkrete bindëse bashkë me kostot e tyre.
Deri në qershor të këtij viti, nga të dhënat e siguruara nga Euronews Albania pranë regjistrit të borxhit publik në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, rezulton se në total janë marrë 16 linja kredie nga institucionet financiare ndërkombëtare nga viti 2020 deri më sot, por asnjëra prej tyre nuk ka pasur si qëllim rindërtimin.
Arben Ahmetaj deklaronte me mburrje pas Konferencës së Donatorëve të mbajtur në Bruksel më 17 shkurt të 2020-s se Shqipërisë iu ofruan gjatë konferencës së donatorëve në Bruksel 1.15 miliardë euro, prej të cilave 750 milionë kredi të buta. “Janë kredi të buta, me një kosto shumë të ulët qoftë në aspektin e interesit, të kostos së parë dhe operacionit”, është shprehur Ahmetaj.
Pavarësisht gjithë morisë së akuzave të hedhura ndaj tij, Arben Ahmetajt deri më tani nuk i ka hyrë gjemb në këmbë dhe ndoshta shkarkimi që i bëri Edi Rama mund të jetë hapi i parë në këtë drejtim.
Lëvizja e Ramës, ndoshta i paraprin thirrjes dhe marrjes së pandehur të Arben Ahmetajt për akuzat që rëndojnë ndaj tij, ku mes tyre është edhe padia e ngritur nga PD për inceneratorët. Nga LSI, Ahmetaj është përjashtuar, me Monika Kryemadhin që ka deklaruar shpesh se ai nuk ka firmosur.
Por, e vërteta është që Arben Ahmetaj ka firmosur si për inceneratorin e Elbasanit, ashtu edhe për atë të Fierit. Voxnews.al ka siguruar ekskluzivisht dokumente, ku Arben Ahmetaj është shprehur parimisht dakord për dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit, përmes një shkrese që i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit më 14 nëntor 2014.
Pra, sipas kësaj shkrese Arben Ahmetaj rezulton i implikuar në çështjen e inceneratorëve, ndërsa aferat me rindërtimin po plasin gjithashtu sheshit një e nga një. A nuk janë këto mjaftueshme që ai të merret i pandehur nga SPAK?
Nëse jo, ndoshta mund të mjaftojë rihapja e dosjes “Hermes” dhe 18 mln impulseve që Ahmetaj bleu në 2002 dhe 2004 përmes kësaj kompanie nga Telekom me çerekun e çmimit real, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 50 mln eurosh.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.