
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja që nga marrja e detyrës ka nisur një gjueti shtrigash nëpër institucione publike.
Pasi ka kthyer sistemin e 80-lekshave që shoku spiunon shokun, ka krijuar dhe një lloj terrori në administratë duke bërë që të mbahet puna pezull dhe qytetarët të mos marrin shërbimin e kërkuar.
Nëse bën një monitorim te Kadastrat, te Agjencia e Pronave, te Përmbarimi, te Burgjet situata jo vetëm që nuk është përmirësuar me gjasme kontrollet e Manjës, por është bërë shumë më keq.
Mirëpo, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi në të vërtet njerëzit që Manja cakton për të luftuar korrupsionin janë kthyer në gjobëvënës të rëndomtë që jo rrallë herë flasin dhe në emër të ministrit.
Rasti që do të publikojmë sot lidhet me një paligjshmëri totale në sistemin e Burgjeve, që është në kufijtë e skandalit.
Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje i është futur një valleje të rrezikshme paligjshmërie duke krijuar kaos në sistemin penitenciar.
Ky sektor i është futur kundër çdo ligji dhe kundër detyrave të tij funksionale një kontrolli të katër viteve të fundit në sistemin e Burgjeve.
Inspektorë të SHKBB me porosi të Manjës ka marr kompetencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas ligjit nuk është detyrë e SHKBB të kontrollojë funksionimin e institucionit, pasi ata vihen në lëvizje sipas ligjit për SHKBB, vetëm për ngjarje dhe objekt konkret.
Punonjësit janë duke bërë kontrolle në burgje për oraret, për hyrjet daljet në institucion, planizimin e shërbimit, lirimet me kusht, uljet e dënimit, masat disiplinore, shpenzimin e karburanteve, mjetet e policisë së burgjeve, kamerat e sigurisë, uniformat që Drejtoria e Burgjeve furnizon punonjësit, pagesat e punonjësve, punësimin e të dënuarve dhe masat disiplinore.
Në disa prej burgjeve të vendit janë duke kontrolluar edhe transferimet e të burgosurve që në fakt nuk është fare kompetencë e tyre, kontrollojnë njësinë tregtare, mjekësinë, medikamentet, edukimin, aktivitetet e të dënuarve.
Po ashtu kontrollojnë policinë e burgjeve, financën, personelin, prapavijën, për kuzhinën, për furnizimin me ushqime, gatime, takimet e të dënuarve me familjarët, komunikimin me skype, kushtet e jetesës, zyrat e avokatëve, ambientet e takimeve të familjarëve me të dënuarit.
Për të vijuar absurdi kontrollojnë pagesën e energjisë, faturat e ujit, karburantet, pagesën e orëve shtesë dhe transferimet e punonjësve.
Kontrollojnë lirimet nga puna, transferimet, rimarrjet në punë, mungesat e punonjësve.
Të gjitha sa më sipër janë shkelje e hapur e detyrave të SHKBB, pasi këto janë kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Burime nga kjo drejtori thonë për Vox News se drejtori Admir Abrija është kthyer në një drejtor kukull, pasi detyrat e tij tashmë ministri ia ka kaluar një të besuari të tij, siç është drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje.
Burimet saktësojnë se i gjithë kontroll nuk lidhet fare me vendosjen e rregullit, apo verifikimin e zbatimit të ligjit, por është shantazh i hapur ndaj punonjësve nga niveli i drejtues deri te punonjësit e thjesht që të lënë detyrën, për t’u punësuar militantë dhe njerëz me lidhje nepotike dhe klienteliste.
Kjo arrogancë dhe shantazh nga ministri Manja ka arritur dhe rezultatet e saj, pasi shumë punonjës me eksperiencë në sistemin penitenciar kanë dhënë dorëheqje dhe shumë të tjerë janë gati të lënë detyrën.
Vox News do ta ndjekë këtë paligjshmëri të ministrit dhe në vijim do të botojmë dhe raste konkrete denoncimi që vërtetojnë, shantazhin, arrogancën dhe paligjshmërinë e një bande me petkun e shtetit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.