Tashmë është e konfirmuar, Sali Berisha është shpallur ‘non grata’ nga Britania e Madhe, vendi i dytë më i madh pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Berisha pohoi me gojën e tij se është shpallur ‘non grata’ për korrupsion dhe pasurimin e tij personal dhe njerëzve pranë tij dhe si shembull është marrë edhe lidhja e tij me Damir Fazlliç.
Sipas Sali Berishës, biznesmeni Damir Fazlliç ka qenë një investitor, që ka sjellë kapital në Shqipëri nëpërmjet bankave dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar.
Po sipas Berishës, Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë, qoftë dhe një qindarkë të vetme nga ai apo qeveria e tij.
VoxNews ju sjell lidhjet e Sali Berishës me biznesmenin e njohur Damir Fazlliç dhe afera e Porto Romanos në 2008:
Damir Fazlliç u bë menjëherë epiqendra e debateve publike në atë kohë. Kryeministri Berisha, i kishte dhënë një besim të jashtëzakonshëm një njeriu me lidhje të dyshimta në Beograd.
Fazlliç synonte të ngrinte një perandori energjetike në zonën e Porto Romanos. Në kompanitë e tij, administrator ishte Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës.
Eksperte kontabël ishte Shpresa Breçani, mbesë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Për ndihmë juridike, përkrah tij ishte zyra ligjore e Argita Malltezit dhe Flutura Kolës. Bashkëshortët e dy juristeve, përkatësisht Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola ndërmjetësuan për blerjen e tokës në Porto Romano.

Malltezi dhe Kola shfaqeshin edhe si blerës te fshatarët, duke ia shitur më pas tokën Fazllicit disa herë më shtrenjtë. Skemën e ka pranuar vetë Flutura Kola në dëshminë e dhënë përballë prokurorit, në një hetim që u hap nën dyshimet për pastrim parash.

Kola ka shitur plot 8 parcela me vlerë 257 mijë euro, referuar dokumentit që Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave i adreson Prokurorisë. Aty thuhet se mund të ketë kontrata të tjera që nuk janë paraqitur.
Në total, u siguruan për llogari të dy kompanive të Fazllicit, që administroheshin nga Erion Isufi plot 14 hektarë tokë. Çmimi i paguar nga Fazlliç ishte 18 euro ndërsa fshatarët kanë marrë vetëm 10 euro për metër katror.

Jamarbër Malltezi blen nga pjesëtarë të familjes Matmuja në Porto Romano parcelën me numër 18/24, me sipërfaqe 6512 metër katrorë.
Vlera e shitjes është rreth 7.8 milionë lekë të reja, kontratë ku e njëjta pronë, i shitet kompanisë së Fazllicit nga Malltezi. Vlera e shitjes plot 117 mijë euro apo rreth 15 milionë lekë, pra, dyfish. Në këtë formë është vepruar edhe me parcelat e tjera nga Malltezi dhe Kola. Për 14 hektarë ata kanë fituar në total nga kjo manovër mbi 1.1 milionë euro.
Fill pasi u mbyllën transaksionet, Berisha përfshin brenda parkut energjetik të Porto Romanos edhe tokat e Damir Fazllic. Vlera e tokës u 8-fishua. Për 14 hektarë tokë, janë paguar afro 2.5 milionë euro nga biznesmeni boshnjak. Fazllic e kuptonte se gjysmën e parave i morën Malltezi dhe Kola, por sërish ishte I kënaqur me pazarin. Ai e dinte me saktësi që Berisha do e favorizonte. Këtë, e ka zbuluar Flutura Kola para prokurorit.
Berisha u shfajësua teksa tha se se Porto Romanon e kishte shpallur park energjetik Fatos Nano që në vitin 2001. Në fakt, thelbi i favorizimit të Fazlliçit qëndronte tjetërkund. Pikërisht te vendimi i Berishës për të zgjeruar hapësirën e parkut me tokat e biznesmenit boshnjak.
Tani, do të përqendrohemi te transaksionet. FLutura Kola vepronte lirshëm në llogarinë e Fazllicit. Aq i madh ishte besimi sa ajo tërhiqte cash përmes prokurës shuma deri në 500 mijë euro. Siç duket në dokumentin bankar të siguruar, në llogarinë e Fazlliç fut duart edhe partneri i Flutura Kolës, duke tërhequr 150 mijë euro.

Këtë aferë, prokuroria e hetoi nën dyshimet për “pastrim parash”. Për të verifikuar kompanitë e Fazllicit në një parajsë fiskale si Qipro, prokuroria i nisi aso kohe një letër-porosi autoriteteve të këtij shteti.
Në shkresë theksohet se përmes kompanive guackë, shitblerjes së tokës dhe shitjes së aksioneve, janë krijuar dyshimet për pastrim parash.

Fazlliç shiti aksionet e “Croun Acquisitions”, për 1.7 milionë euro te kompania “Altaria Research Limited” e regjistruar në Qipro. Kjo kompani kontrollohej nga Vojin Lazareviç, një partner biznesi i Damir Fazllic i njohur shumë në rajon.
Aksionere ishte edhe “Plenexus”, një subjekt i vënë në qendër të skandalit “Panama Papers”. Edhe “Alpha shpk” që bleu toka në Porto Romano iu shit për 1.25 milionë euro “Irongold LTD”, e regjistruar në Qipro dhe e kontrolluar nga Lazarevic.
Çuditërisht, Flutura Kola bëhet edhe përfaqësuese ligjore e Lazarevicit. Në fakt, Lazareviç dhe Fazlliç ishin bashkë. Fazlliç mbulohej si anëtar bordi në kompaninë e Lazarevicit. Kur skandali u bë publik, Fazllic, nuk u pa më në Tiranë.
Siç shihet, deri në datën 8 tetor 2008 kur bën fluturimin e fundit nga Rinasi, ai kishte hyrë dhe kishte dalë nga Shqipëria me dhjetëra herë. Ajo që bën përshtypje është fakti se Argita Malltezi nuk u thirr të dëshmonte në prokurori. Barra i mbeti ortakes së saj. Por, Flutura Kola ka pranuar se Fazliç e ka njohur prej Argitës.
Ish-kryeministri Berisha jo vetëm që nuk i përkrahu prokurorët, por i intimidoi hapur duke akuzuar se hetimi ishte nisur nga mafia. Në fakt, nëse ndjekim paratë e transaksioneve në atë çështje, e kundërta e asaj që thoshte Berisha është e vërtetë.
Financuesit:
Flutura Kola thotë se paratë i ka derdhur një shtetas rumun. Por, Top Story posedon dokumentet bankare që tregojnë të kundërtën. Në llogarinë e Fazllic, bën derdhje mbi 1 milionë euro një kompani ndërkombëtare e quajtur “Pluto international”.
Disa kompani të tjera kanë bërë derdhje më të vogla. Totali shkon rreth 2.5 milionë euro, aq sa u paguan për tokat e Porto Romanos. Pas këtyre parave qëndron biznesmeni i njohur serb Vojin Lazareviç, një oligark me kompani që qarkullojnë rreth 600 milionë euro.

Por, kush është Lazareviç dhe pse askush nuk ka rrëmuar pak më thellë për të?
Lazareviç është një person i akuzuar për trafik armësh dhe kontrabandë. Sipas medias kroate “Nacional”, Lazareviç ishte njohje e vjetër e ish-kryeministrit Sali Berisha.Shikoni cfarë thuhet në investigimin lidhur me bizneset në rajon të serbit Lazarevic.
Lazareviç zbulohet si ortak i fortë i Vuk Hamoviç, një oligarku tjetër që u fuqizua gjatë sundimit të kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviç. Referuar investigimeve, thuhet se partneri i Fazlliçit ka qenë financues i kriminelit famëkeq serb Arkan, paramilitari që kryente masakra ndaj shqiptarëve. Mes lidhjeve të afërta të Lazareviç përmenden edhe kriminelët e luftës Ratko Mlladiç dhe Vojislav Sheshel.
Lazareviç në fakt është njohje e vjetër në Shqipëri, qysh në kohën kur Shqipëria e drejtuar nga president Sali Berisha theu embargon dhe lejoi furnizimin me naftë të Jugosllavisë së Milloshevicit.
Në Porto Romano, dyshja Fazlliç-Lazareviç synonte të ndërtonte një impiant të gazit argjilor. Biznesmeni boshnjak deklaronte aso kohe se “ata mund të mbulonin deri në 50 % të tregut vendas”. Pra, biznesmenë me lidhje të dyshimta në Beograd e Moskë synonin kontrollin e energjisë në shqipëri.
Furtuna e nisur ndaj Lulzim Bashës disa muaj më parë për rolin e dyshimtë të tij në dosjet e hetimit të ish-ushtarëve të UÇK-së duket se shkon përtej atyre që ishin thënë deri sot. Siç duket, fijet mes tij, kunatit Erion Isufi, vajzës së ish-kryeministritit Berisha shkojnë shumë më larg me miqtë nga Beogradi..
Veprimet për aferën e Porto Romanos u kryen përmes kompanisë ligjore “Kola & Associates” ku aksionere ishte Flutura Kola. Në të njëjtën zyrë ishin edhe kompanitë “Malltezi & Kola”, dhe “Malltezi & Associates”. Këto zyra avokatie kapën majat sapo u themeluan.

Referuar dokumenteve të siguruara, “Kola & Associates”, pra, ortakja e Argita Berishës u kreditua me plot 340 mijë euro brenda 10 muajsh në periudhën dhjetor 2007-tetor 2008. në një tjetër llogari, listohen mbi 250 mijë euro të tjera kreditime nga kompani të ndryshme.

Prapa transaksioneve, qëndrojnë disa prej kompanive më të mëdha. Mes tyre, shquhet edhe Rompetrol, e lidhur me projektet e Fazllic për parkun energjetik në Porto Romano. Pagesat për konsulencë ishin jashtë cdo llogjike të tregut shqiptar, plot 200 dollarë për orë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.