Kush është “Zoti i Luftës” dhe lidhja me Kolumbinë: A po kthehet Emiljano Dusha në “tregtarin e vdekjes” më të madh shqiptar?!

20 Tetor 2025, 23:27Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Emiljano Dusha

Historitë që vijnë përtej Atlantikut flasin për një lidhje mes trafikut të drogës dhe armëve. Këto histori janë bërë shpeshherë objekt i filmave hollivudianë. Madje, edhe ngjarja tragjike e Gërdecit në Shqipëri është bërë film, i titulluar “Qentë e Luftës”. Por, padyshim filmi më i njohur është “Lord of War”, ose në shqip “Zoti i Luftës”, i cili tregon historinë e një trafikanti armësh që u ngrit pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Kjo histori duket se po përsëritet në Shqipëri, ku një individ me lidhje të forta me mazhorancën dhe qeverinë po zë vendin e “Viktor Bout”. Emiljano Dusha është kthyer në një “tregtar i mirëfilltë i vdekjes”, pasi armët e tij furnizojnë institucionet shtetërore. Ai ka fituar çdo tender të madh nga policia, garda apo edhe burgjet, ndërkohë që shpërndan edhe armë për policitë private, ku kemi raportuar dhe denoncuar se jo gjithmonë armët shkojnë në destinacion, pasi mund të përfundojnë edhe në tregun e zi.

Informacionet e siguruara nga VoxNews flasin se Dusha ka lidhje të forta, madje edhe familjare, me individ dhe grupe që kanë jetuar dhe punuar në vendet e Amerikës Latine. Institucionet e sigurisë kanë në “dorë” fakte se vëllai i Emiljano Dushës ka jetuar për rreth 15 vite në Kolumbi, vend në të cilin bandat shqiptare janë kthyer në “mbretërit” e rrugës. Madje, ata kanë zëvendësuar edhe grupet lokale, teksa organizojnë trafiqe të paligjshme të drogës dhe armëve nga Kolumbia në SHBA apo edhe në Europë, pa përmendur edhe vrasjet që ndodhin në atë shtet mes grupeve edhe shqiptare.

VoxNews nuk ka informacione të sakta mbi aktivitetin e vëllait të Emiljano Dushës në Amerikën Latine. Objekti i këtij investigimi është vendimmarrja e qeverisë shqiptare, e cila e ka futur Dushën si investitor strategjik në një biznes mjaft kompleks, prodhimin e armëve. Firmat e tij kanë lidhur marrëveshje me kompaninë shtetërore “KAYO” për prodhimin e armëve dhe uniformave për ushtrinë.

Ndërkohë, në lidhje me të kaluarën e Dushës dhe të vëllait, redaksia jonë po i drejtohet publikisht institucioneve të inteligjencës me disa pyetje;

A ka certifikatë sigurie ky investitor?!

A është verifikuar e kaluara e Emiljano Dushës?

Çfarë aktiviteti ka kryer vëllai i Emiljano Dushës në Kolumbi dhe në Amerikën Latine?

Janë disa pyetje që vetë institucionet e sigurisë, apo edhe ato të inteligjencës, duhet t’i kishin përgjigjet prej kohësh, para se Dusha dhe kompania e tij MSSC të bënte marrëveshje për krijimin e shoqërive aksionere me shtetin, për prodhim armësh dhe uniformash. Tashmë, me këto lidhje dhe marrëveshje, Dusha është kthyer në variantin e “Zotit të Luftës” shqiptar.

Kush është “Zoti i Luftës” dhe lidhja me
Faksimile: Firma e tij kryesore MSSC ka fituar tenderët për armë, ndërkohë që në vitin 2024 doli me një fitim prej 4 milionë eurosh

Prej shumë vitesh, firma MSSC e Emiljano Dushës e ka kthyer në monopol fitimin e tenderëve të armëve. Çdo procedurë e policisë, gardës apo burgjeve, fitohet lehtësisht nga Dusha, madje edhe me vlerë të përafërt me fondin limit. VoxNews ka raportuar edhe më herët për këto procedura, të cilat kanë qenë të paracaktuara.

Këto tendera apo edhe shpërndarja e armëve për policitë private dhe poligone, ku në njërin prej poligonëve të Dushës ndodhi edhe një vetëvrasje, e kanë kthyer firmën MSSC në një kompani që xhiron dhjetëra miliona euro. VoxNews ka shfletuar bilancet e kësaj kompanie, ku rezulton se në vitin 2024 ajo ka deklaruar një fitim prej rreth 4 milionë eurosh.

Këto bilance janë deklaruar në vitin 2025, ndërkohë që aksioneri i vetëm Emiljano Dusha e ka hedhur këtë fitim në rritjen e kapitalit të shoqërisë. “Fitimi neto, sipas bilancit të shoqërisë për vitin 2024, është në shumën 401.450.823 lekë. Shuma do të kalojë për rezerva e investime” thuhet në dokument.

Kush është “Zoti i Luftës” dhe lidhja me
Faksimile: Statuti i firmës “Guna”, me aksioner kompaninë shtetërore “Kayo” (51 %) dhe MSSC (49 %)

Vera që sapo lamë pas ka qenë një nga më të favorshmet për Emiljano Dushën, ose siç njihet tashmë “tregtari i vdekjes”. Ai ka firmosur disa marrëveshje me Ardi Veliun, administrator i kompanisë shtetërore “KAYO”, për krijimin e disa shoqërive aksionere. Ende pa u verifikuar e kaluara e Dushës apo familjarëve të tij, ai dhe Veliu kanë krijuar shoqërinë “Guna Tactical” sha, e cila është një shoqëri aksionare. Selia e shoqërisë “Guna Tactical” është në rrugën e “Dibrës”, Garnizoni Skëndërbej. Pra, në një ambient shtetërore, ku firma Kayo ka 51 % të aksioneve dhe MSSC ka 49 % të aksioneve.

Në dokumente është përcaktuar se objekti kryesor i veprimtarisë së shoqërisë është projektimi, prodhimi, përpunimi, magazinimi, paketimi, promovimi, shpërndarja, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për strukturat e tjera të sigurisë dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtare.

Kush është “Zoti i Luftës” dhe lidhja me

Kush është “Zoti i Luftës” dhe lidhja me
Faksimile: MSSC e Emiljano Dushës dhe KAYO e Ardi Veliut kanë krijuar edhe kompaninë MKD, që do të prodhojë armë

Ndërkohë, pas tenderëve dhe firmës së uniformave, Ardi Veliu dhe Emiljano Dusha kanë krijuar një tjetër firmë, të emërtuar MKD. MSSC ka 80 % të aksioneve dhe Kayo ka 20 %. Më pas janë caktuar edhe anëtarët e Këshillit Drejtues, të cilët janë Ferzilet Osmëni, Glevin Dervishi, Emiljano Dusha, Eralda Jahaj dhe Fatjon Murati.

“Objekti i veprimtarisë është prodhimi dhe tregtimi i municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm. Kjo përfshin prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura dhe për struktura të tjera të sigurisë. Lista e produkteve që Shoqëria do të prodhojë dhe tregtojë do të përcaktohet dhe përditësohet në Planin e Biznesit të miratuar nga aksionarët, dhe ndryshimet në këtë listë do të miratohen sipas mekanizmave vendimmarrës të Shoqërisë”, thuhet në dokument.

Në objektin e firmës përcaktohet se MKD mund të ngrejë degë apo zyra rajonale brenda apo jashtë vendit, sipas nevojës. Të lidhë marrëveshje bashkëpunimi tregtar, partneritet apo ortakëri me persona apo subjekte të tjera.

Kush është “Zoti i Luftës” dhe lidhja me
Faksimile: Autorizimi që Dusha i ka dhënë vartësve të tij të firmosin marrëveshjen me Ardi Veliun

VoxNews ka hulumtuar edhe dokumente të tjera, ku rezulton se Emiljano Dusha ka preferuar që të autorizojë persona të tjerë për të lidhur marrëveshje me institucionet shtetërore. Ai nuk ka preferuar që të firmosë vetë, por të autorizojë besnikët e tij që të firmosin. Një veprim në “mbrojtje”, duke qenë se nga sa ka faktuar VoxNews, institucionet shtetërore nuk kanë verifikuar të kaluarën e tij apo të familjarëve.

Duket se edhe “Zoti i Luftës” ka frikë nga përballja me institucionet e sigurisë apo inteligjencës, megjithëse xhiron dhjetëra miliona euro apo po bashkëpunon ngushtë me vetë shtetin në prodhimin dhe tregtimin e armëve.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video