
Një kompani franceze ka fituar në “tavolinë” ankandin për vendosjen e një radari në Shqipëri. Gjigandët e “Thales” kanë mundur amerikanët e “Lockheed Martin”, të cilët 5 vite më parë fituan rreth 20 milionë euro për të vendosur një radar në territorin e Shqipërisë. Duket se, ndryshimet diplomatike dhe vizitat e shpeshta të qeveritarëve francezë në Shqipëri, apo të qeveritarëve shqiptarë në Francë, kanë sjellë këtë ndryshim kursi.
Në datën 20 qershor 2025, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka qenë në francë, në selinë e kompanisë “Thales”. Ai fillimisht ka takuar homologun e tij francez dhe më pas, përfaqësues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe drejtues të firmës kanë nënshkruar marrëveshjen.
Por, nga një vëzhgim i VoxNews, ka rezultuar se Ministria e Mbrojtjes Shqiptare nuk rezultonte të kishte hapur ankande apo tendera për vendosjen e një radari, teksa e vetmja procedura është ajo me vlerë rreth 200 mijë euro për të blerë pajisje. Duket se, kontrata është mbajtur sekrete deri sa është firmosur, ndërkohë që ende nuk ka dalë fatura sesa do të kushtojë blerja e një radari nga Vengu.
Në datën 20 qershor 2025, kompania franceze “Thales” ka nxjerrë një njoftim, ku shkruan se “mbështet sovranitetin e hapësirës ajrore në Shqipëri me radarin e mbikëqyrjes Ground Master 400 Alpha”.
Sipas saj, kontrata është firmosur në Panairin Ajror të Parisit, mes ministrit të Mbrojtjes së Francës Sebasien Lecornu dhe ministrit shqiptar Pirro vengu.
“Thales fitoi një kontratë për të furnizuar një radar Ground Master 400 Alpha (GM400α), me dorëzim brenda 14 muajsh, si pjesë e një programi modernizimi të mbikëqyrjes ajrore. Thales ka përmbushur kërkesën strategjike për të furnizuar një radar mbikëqyrjeje Ground Master në kohë rekord. Radari luan një rol aktiv në mbikëqyrjen ajrore” shkruan kompanisa.
Më tej sqaron se me arkitekturën e tij të plotë dixhitale, ai gjurmon kërcënimet ajrore në një rreze deri në 515 km, me zbulim superior të objektivave në lartësi të ulët. Deri më sot, më shumë se 270 radarë mbikëqyrjeje ajrore Ground Master janë shitur në të gjithë botën.
"Jemi krenarë që mbështesim Shqipërinë me dorëzimin e shpejtë të Ground Master 400 Alpha, të provuar në luftime", tha Eric Huber, Zëvendëspresident i Radarëve Sipërfaqësorë të Thales. "Me rritjen e kapacitetit tonë të prodhimit dhe mbështetjen nga ekosistemi ynë partner, ne jemi në gjendje të kemi kohë të shpejta kthimi në lidhje me kërkesat urgjente operacionale. Ground Master 400 Alpha ofron një aftësi të besueshme, me performancë të lartë dhe lëvizshmëri të lartë për të përmbushur nevojat e mbikëqyrjes ajrore dhe sovranitetit të Shqipërisë” vijoi ai.
“Thales” shkruan se është një lider global në teknologjitë e përparuara për sektorët e mbrojtje. Grupi investon më shumë se 4 miliardë euro në vit në Kërkim dhe Zhvillim në fusha kyçe, veçanërisht për mjedise kritike, siç janë Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike, teknologjitë kuantike dhe cloud. “Thales” ka më shumë se 83,000 punonjës në 68 vende. Në vitin 2024, grupi gjeneroi shitje prej 20.6 miliardë eurosh.
Ndërkohë, në vitin 2020, qeveria shqiptare bleu një sistem radari me rreze të gjatë veprimi prej 22 milionë dollarësh (19 milionë euro) nga ofruesi i pajisjeve të mbrojtjes me seli në SHBA, Lockheed Martin. Sistemi, i vendosur në malin verior të Midës, u bë funksional në nëntor 2020.
Kontrolli i hapësirës ajrore shqiptare ka qenë një temë debatesh dhe skandalesh në të kaluarën. Prishja me apo pa dashje i radarëve i ka hapur rrugën trafikut të lëndëve narkotike, teksa qeveria e ka pasur të pamundur për t’a kontrolluar.
Ndërkohë, blerja e një radari nga francezët u bë në mënyrë sekrete dhe të drejtpërdrejtë, duke anashkaluar institucionet përkatëse. VoxNews ka kërkuar në Agjencinë e Prokurimit Publik për të parë nëse kishte apo jo tender apo ankand për marrjen e një radari.
Redaksia jonë gjeti vetëm një njoftim, të ministrisë së Mbrojtjes, të hapur në muajt e fundit, maj dhe qershor. Bëhet fjalë për “blerje pajisje/pjesësh për vendosjen në gatishmëri teknike të radarit në PRT-17 Sazan”. Bëhet fjapë për pjesë këmbimi dhe pajisje për radar. Vlera e tenderit është 19.551.854, ose nëse do e konvertojmë në euro shkon në rreth 200 mijë euro.
Nisur edhe nga objekti i tenderit, “për vendosjen në gatishmëri teknike”, duket se radari i Sazanit nuk punon. Dhe nëse një gjë e tillë është e vërtetë, ky është një skandal i ri i ministrisë së Mbrojtjes, pasi edhe në të kaluarën ka pasur debate të shumë nëse punon ose jo. Radari në atë pjesë kontrollon Kanalin e Otrantos dhe sipërfaqen detare në Shqipëri. Shpesh herë, nga ai kanal apo nga deti, ka pasur shumë lëvizje të dyshimta të grupeve kriminale që dërgojnë lëndë narkotike apo klandestinë në Itali.
Dhe, nëse nuk punon, kush mban përgjegjësi?!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.