
Shkolla e Magjistraturës ka kthyer kohën e viteve ’90, ku me vendime dhe kurse të veçanta, pregatiteshe për t’u bërë gjyqtar. Në atë kohë u etiketua si “Shkolla e Plepave”, pasi ndodhej në Durrës në afërsi të plazhit, atje ku sot është Kavalishenca.
Ndërkohë, vitet kaluan dhe shkolla ndryshoi disa herë godinë, në afërsi të Kodrave të Liqenit, te fakulteti Gjeologji-Miniera dhe sot te Korpusi i Drejtësisë, në afërsi të ish-Fushës së Aviacionit. Por, historia duket se po përsëritet, ku skandalet e fundit e provimet e pranimit apo me provimet e lëndëve, vetëm sa kanë konfirmuar se “shkolla merret me mik”.
Por, të emërohen në mënyrë të dyshimtë kandidatë dhe të kopjojnë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, vetëm në Shqipëri mund të ndodhë! Në pranverën e vitit 2024, në provimet e pranimit, u prish pajisja që vlerësonte studentët. U shtuan kandidatë në lista, të cilët më vonë fituan të drejtën e shkollës.
Ndërkohë, disa ditë më parë, në media u publikuan video se si këta kandidatë kopjonin rëndom gjatë provimeve, ku disa prej tyre janë edhe fëmijët e pedagogëve dhe që kanë fituar në mënyrë të dyshimtë këtë shkollë.
Por, megjithë këto skandale çfarë mase ka marrë Shkolla e Magjistraturës?!
Drejtuesit i fusin disa ditë pushime në Karaibe, për t’u relaksuar pas gjithë këtyre ndodhive. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews kjo Shkollë e drejtuar aktualisht nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, ka hapur tenderin me objekt “blerje biletë avioni vajtje-ardhje” për 4 persona me itinerar Tiranë - Santo Domingo – Tiranë.
Shteti i Santa Domingos ndodhet në Karaibe, i njohur për plazhet ekzotike. Por, çfarë duan drejtuesit e Shkollës në Karaibe? Në dokumente nuk specifikohet se çfarë do të bëjnë, por s'do mend se pushime, se çfarë e lidh Shqipërinë me Santa Domingon!
Në dokumente shkrihet se nisja do të bëhet nga Tirana më datë 2 maj 2025 rreth orës 05.30 dhe mbërritja në Mynih rreth orës 07.30. Më pas, Nga Mynihu për në Madrid, ku do të qendrojnë një natë dhe do të nisen për në Santa Domingo më datë 3 maj 2025.
Në Santa Domingo do të qendrojnë plot 6 ditë dhe do të kthehen më datë 9 maj në Madrid. Më pas, në Mynih dhe nga Gjermania për në Tiranë. “Oferta e operatorit duhet të përfshijë biletën vajtje-ardhje me bagazh të plotë 20 kg dhe bagazh dore (klasi ekonomik) si edhe sigurimin e shëndetit në udhëtim” thuhet në këto dokumente, ku pasagjerët do të kenë bagazh të plotë, ku mund të bëjnë çfarëdolloj blerje në Karaibe, Mynih apo në Madrid.
Faksimile: Në datat 22-25 prill 2025 do të zhvillohet provimi i pranimit të kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës
Disa javë më parë, Shkolla e Magjistraturës hapi zyrtarisht aplikimet për provimin e pranimit për vitin akademik 2025-2026. Për këtë vit akademik janë vënë në dispozicion 10 vende për gjyqtar, 12 vende për prokuror, 3 vende për ndihmës ligjorë në gjykatë, 3 vende për këshilltarë ligjorë në prokurori 7 vende për avokatë shteti në nivel vendor pranë ministrive dhe zyrave vendore.
Por, para se të udhëtojnë për në Karaibe dhe në Republikën Domenikane në Santa Domingo, drejtuesit e Shkollës së Magjistraturës do të bëjnë provimin e pranimit. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka hapur tenderin për të marrë me qira një televizor. Objekti i tenderit është “televizor interaktiv dhe laptop video”, për eventin e datës 22, 24 dhe 25 prill 2025 “provimi i pranimit për kandidatë për magjistratë dhe këshilltar/ndihmës ligjorë në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2025-2026”, që do të zhvillohet në Hollin Kryesor, Pallati i Kongreseve.
Gjithashtu, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka hapur tenderin për shërbim fonie për të njëjtin event.
Nga ana tjetër, vetë Shkolla e Magjistraturës ka hapur procedurën “marrje me qira fotokopje për shërbime printimi”. “Ofrimi i shërbimit të fotokopjimit bardhë e zi me cilësi të lartë dhe në volum të konsiderueshëm përfshirë sigurimin e pajisjeve të nevojshme, materialet e konsumit, transportin, instalimin si edhe suportin teknik të dedikuar në vendndodhje (pranë ambienteve të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, Pallati i Koncerteve) për realizimin e fotokopjimit të tezave të provimit sipas datave dhe volumeve të përafërta të specifikuara” thuhet në dokument.
Sipas saj, në datën 22 prill numri i parashikuar i konkurentëve do të jetë 300. Kërkohen 6600 fletë, ku teza do të ketë 22 faqe. A mund të jetë e paracaktuar?!
Ndërkohë, në datën 24 prill kërkohen afërsisht 5000 fletë ku konkurentët mund të jetë 200. Sipas saj, teza do të ketë 25 faqe. Në datën 25 prill kërkohen 1200 fletë për 200 kandidatë, ku çdo set teze do të ketë 6 faqe.
Por, nëse i kanë saktësuar edhe fletët, a mund t’i kenë shpërndarë paraprakisht? Koha e ka treguar se çdo provim pranimi është përfshirë në skandale të një pas njëshme, ku drejtuesit dyshohen se kanë paracaktuar edhe fituesit. A mund të ndodhë edhe këtë vit?!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016