Frikë nga SPAK, anulohet tenderi i denoncuar nga VoxNews që fitoi anëtari i Këshillit Bashkiak në Durrës

17 Mars 2025, 13:21Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryetarja e Bashkisë Durres, Emirjana Sako

Një hetim i mundshëm nga SPAK, apo nga organe të tjera ligjzbatuese, ka sjellë anulimin e tenderit që fitoi anëtari i Këshillit Bashkiak në Durrës. Disa javë më parë, VoxNews publikoi një investigim se anëtari Munir Konesha fitoi tenderin 181 mijë euro nga Ujësjellësi i Durrësit për të bërë një vepër publike. Një konflikt i pastër interesi, teksa edhe opozita e denoncoi këtë abuzim.

Ndërkohë, disa ditë më vonë Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a, ka anuluar këtë procedurë. Sipas dokumentit, arsyeja ka qenë se firma e Muneshës nuk ka bërë pagesën e sigurimit të padisë. Përpos arsyeve zyrtare, duket se tërheqja e firmës apo edhe e Ujësjellësit është një frikë nga SPAK-u.

Frikë nga SPAK, anulohet tenderi i denoncuar nga VoxNews që fitoi
Faksimile: Njoftimi i anulimit të tenderit nga Ujësjellësi i Durrësit

Dokumenti i mësipërm është publikuar së fundmi në APP, ku Ujësjellësi i Durrësit thotë se anuloi procedurën “rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësit në zonën Kodër Arapaj, në zonën Plepa dhe Zonën Skraparlinjve, Durrës”. Fondi i tenderit ishte 20 milionë lekë të rinj.

“Arsyet e anulimit është kur ofertuesi fitues nuk bën sigurimin e kontratës ose nuk nënshkruan kontratën, autoriteti kontraktor bën konfiskimin e sigurimit të ofertës”. Sipas dokumentit, sigurimi i ofertës për këtë procedurë është 415.478 lekë. Por, edhe ofertuesi i dytë nuk u shpall fitues, për shkak të diferencës së madhe.

Frikë nga SPAK, anulohet tenderi i denoncuar nga VoxNews që fitoi
Faksimile: Denoncimi me dokumente i VoxNews për tenderin që fitoi anëtari i Këshilli Bashkiak në Durrës

Në datën 15 shkurt 2025, VoxNews publikoi një denoncim me titull “Anëtari i PS-së në Këshillin Bashkiak në Durrës fiton tenderin 181 mijë euro për ujësjellësin në 3 lagje në Durrës”. Bëhet fjalë për Munir Konesha, i cili është zgjedhur anëtar në Këshill në zgjedhjet e fundit lokale.

Tenderin e fitoi firma “2AF ALBANIA GROUP”, firmë e cila ka qenë në pronësi të vetë Koneshës dhe tani pronësia është e familjarëve të tyre. Por, gjurma e tij dilte te kompania mbështetëse e fituesit, e cila është “ALB-KON”, ku vetë Munir Konesha ka 50 % të aksioneve dhe 50 % të tjera i ka vëllai i tij. Pra, nga njëra anë ai mbulon gjurmët dhe nga ana tjetër i zbulon!

Frikë nga SPAK, anulohet tenderi i denoncuar nga VoxNews që fitoi
Faksimile: Pas investigimit të VoxNews, Partia Demokratike kërkoi hetim nga SPAK

Disa ditë pasi VoxNews publikoi këtë skandal, Partia Demokratike i kërkoi SPAK-ut të niste një hetim. Përmes një deklarate për mediat zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, kërkon që SPAK të hetojë tenderët e Ujësjellësit të Durrësit.

“Këto emra subjektesh lidhen me anëtarin socialist të Këshillit Bashkiak në Bashkinë Durrës, Munir Konesha. Së pari, 2AF Albania Group shpk është subjekti i cili zbatoi punimet për tenderin 3.2 mil euro të ujësjellësit në Bulqizë për të cilin u dënuan me vendim të formës së prerë kryebashkiaku socialist, por edhe Aqif Konesha administrator dhe pronar i kësaj shoqërie të cilën e zotëronte së bashku me babanë e tij anëtarin aktual të Këshillit Bashkiak Durrës, Munir Konesha” tha PD.

Më tej sqaroi se kontrata e prokuruar nga UKD Durrës me pronar edhe Bashkinë Durrës, do të mbështetet në zbatim nga kompania e anëtarit të këshillit bashkiak të së njëjtës bashki.

“Vijmë tek subjekti tjetër mbështetës IDEAL CONSTRUCTION AND PROJECTION (I.C.P) krijuar në 2019 në pronësi të Alban Dautaj. Emërimi i Dautaj sipas vendimit të datës 8 Mars 2024, fillon në 26 Shkurt. Duket se edhe Drejtori Teknik i UKD Durrës mendon për familjarët. Subjekti në pronësi të vëllait të vogël ka pikërisht në objekt veprimtarie edhe shërbime që lidhen me detyrën e vëllait të madh Gerald. Presim që SPAK të veprojë sa më parë lidhur me këtë skandal …” shtoi Partia Demokratike.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video