MILIARDAT e rrugëve para zgjedhjeve: Nga By Pass Sarandë, Kashar – Vaqarr, Tiranë – Durrës ...

7 Mars 2025, 09:35Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belinda Balluku dhe Gentian Gjyli

Belinda Balluku dhe Gentian Gjyli, e para ministre e Infrastrukturës dhe i dyti drejtor i Rrugëve, kanë hapur “thesin” para zgjedhjeve parlamentare të muajit maj 2025. Një nismë kurajoze, teksa “asfalti” është përdorur gjithmonë për vota në këto 35 vite pluralizëm.

Por, duket se krahas votës, kjo dyshe do edhe afrimin e oligarkëve të ndërtimit, ata të cilët financojnë çdo fushatë elektorale, publikisht apo edhe në mënyra të tjera. Publikimi i tenderëve të tillë bëhet edhe për t’i pasur nën kontroll, për financim apo edhe ndikim te punonjësit, ku në këto zgjedhje krahas “luftës” me opozitën, eksponentë të mazhorancës do e kenë edhe me njëri-tjetrin.

Sipas dokumenteve që ka analizuar VoxNews, janë hapur procedurat e By Pass-it të Sarandës, rruga Kashar – Vaqarr apo edhe loti tjetër i zgjerimit të Tiranë – Durrës. Procedura me vlera të mëdha, teksa tender është hapur edhe për “ndihmën” që ARRSH-ja do t’i bëjë edhe koncesionarit të rrugës Durrës- Kukës.

MILIARDAT e rrugëve para zgjedhjeve: Nga By Pass Sarandë, Kashar
Faksimile: ARRSH ka hapur dy tenderët për rrugën Kashar – Vaqarr, me vlerë 61 milionë euro

61 milionë euro për Kashar – Vaqarr!
Sipas dokumenteve që ka analizuar redaksia jonë, Gjyli ka hapur dy procedura për segmentin e ri nga zona e Kasharit për në Vaqarr, ku do të bëhet edhe Unaza e Madhe Perëndimore e Tiranës.

Procedura e para është “ndërtim rruga Kashar - Nyja Vaqar”, faza 1. Vlera e tenderit është plot 3.333.333.333 lekë, ose e konvertuar në euro 33 milionë euro. Kësaj procedure i shtohet edhe supervizioni, me vlerë 660 mijë euro.

MILIARDAT e rrugëve para zgjedhjeve: Nga By Pass Sarandë, Kashar
Faksimile: ARRSH ka hapur dy tenderët për rrugën Kashar – Vaqarr, me vlerë 61 milionë euro

Ndërkohë, në të njëjtën kohë, ARRSH ka shpallur edhe tenderin e fazës së dytë të këtij segmenti. Vlera kësaj here është 2,750,000,000 lekë, ose rreth 28 milionë euro bashkë me supervizionin që është 550 mijë euro.

MILIARDAT e rrugëve para zgjedhjeve: Nga By Pass Sarandë, Kashar
Faksimile: ARRSH ka akorduar një shumë prej 28 milionë eurosh për By Pass-in e Sarandës

28 milionë euro për By Pss-in e Sarandës
Por nuk ndalet këtu Balluku dhe Gjyli, të cilët kanë shpejtuar për të hapur të tjera procedura në këto kohëra. Sipas dokumenteve, është hapur tenderi me objekt “ndërtim By Pass Sarandë, Faza I” me vlerë 2.000.000.000 lekë, ose 20 milionë euro. Për supervizionin e këtij loti u akorduan 400 mijë euro.

MILIARDAT e rrugëve para zgjedhjeve: Nga By Pass Sarandë, Kashar
Faksimile: ARRSH ka akorduar një shumë prej 28 milionë eurosh për By Pass-in e Sarandës

Ndërkohë, është hapur edhe tenderi “ndërtim By Pass Sarandë, faza II” me vlerë 833,333,333 lekë, ose rreth 8.4 milionë euro. Supervizioni i këtij loti është me vlerë 166 mijë euro.

MILIARDAT e rrugëve para zgjedhjeve: Nga By Pass Sarandë, Kashar
Faksimile: ARRSH ka shpallur edhe tenderin e zgjerimit të Tiranë – Durrës, me vlerë 25 milionë euro

25 milionë për zgjerimin e Tiranë – Durrës
Ndërkohë, VoxNews ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi të majmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Është hapur tenderi me objekt “zgjerimi i superstradës Tiranë - Durrës faza III”, me një fond prej 2.500.000.000 lekë, ose rreth 25 milionë euro.

Ndërkohë, 500 mijë euro do të shkojnë për firmën supervizionit. Shuma të majma, të cilat vijnë të gjitha para zgjedhjeve. Janë para që do të përdoren për fushatë dhe zgjedhje?

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video