
Firma e pastrimit “ECO Tirana”, në pronësi 51 % të Bashkisë së Tiranës dhe 49 % të firmës italiane “AGSM AIM” ka publikuar anulimin e një tenderi.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, firma ka anuluar procedurën për blerjen e një kamioni për mbeturinat.
Prej disa kohësh, firma gjysmë shtetërore ka marrë në dorë pastrimin e Tiranës, duke zëvendësuar disa nga firmat private të pastrimit. Dhe, që prej asaj kohe, “ECO Tirana” tenderon blerjen e kazanëve dhe mjeteve të pastrimit, si dhe një mori pajisjesh dhe shërbimesh të tjera.
Disa muaj më parë, “ECO Tirana” hapi një tender me objekt të kontratës “blerje kamion kompatator mbeturinash”. Fondi limit i tenderit ishte 61.331.250 milionë lekë, ose 625 mijë euro.
“Arsyet e anulimit pasi në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”, thuhet në këtë dokument. Por, më tej ka dhënë edhe një informacion shtesë, teksa thotë se firma që u shpall fituese u tërhoq nga nënshkrimi kontratës për shkak të mos përmbushjes së afatit të dorëzimit të mallit, sipas përcaktimeve.
“Këto kushte nuk varen prej tij por problematikave në rrugët e transportit ujor në Lindjen e Mesme nga sulmet (luftimet) e grupeve terroriste (Forca Madhore), të cilat kanë sjell devijimin e rrugëve detare me pasojë vonesa dhe rrisqe në ardhjen brenda afateve të porosive nga prodhuesi (Kine)”, thotë ECO Tirana.
Më tej shton se anulohet tenderi pasi firma e kualifikuar se e dyta në këtë procedurë prokurimi nuk mund të shpallet fitues.