
Një javë pas përfundimit të afatit për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës për të votuar më 11 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërblyer me plot 1 milionë euro firmën që bëri aplikacionin.
Me një njoftim të beftë në Agjencinë e Prokurimit Publik, Ilirjan Celibashi ka njoftuar se ka hapur një tjetër procedurë suporti. Nuk bëhet fjalë për tender, por për një “shpërblim” ndaj firmës që fitoi tenderin e parë. Ajo që bie në sy është se, nëse tenderi i madh ishte 2.1 milionë euro, “shpërblimi” do të jetë mbi 1 milion euro.
Një vlerë tepër e madhe, aq më tepër që e gjithë shuma do të jepet me negocim, ose më saktë në formën e grantit. Aktualisht, KQZ nuk ka dhënë shumë informacione përse po e jep këtë shumë, teksa shkruan vetëm suport.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi në APP procedurën e prokurimit “shërbime të suportit dhe përditësime për Votimin Elektronik për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025”.
Mësohet se fondi i gjithë procedurës është 110.342.551 lekë, teksa nëse do të konvertohet në euro shuma shkon në rreth 1.1 milionë euro. Komisioni thotë se kjo shumë do të jepet “me negocim, pa njoftim”, teksa nuk jep informacione të tjera.
Ndërkohë, VoxNews ka mësuar se tenderi i parë është bërë në vitin 2024. Në muajin nëntor të vitit 2024, redaksia jonë publikoi investigimin për tenderin e Celibashit, me objekt, “platforma elektronike e regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe shërbimet mbështetëse të saj”.
Fondi limit ishte 208,333,333 lekë, ose rreth 2.1 milionë euro dhe fituesi u shpall në muajin nëntor 2024. Bëhet fjalë për module, sistem i marrjes së të dhënave, platforma kompjuterike dhe shërbime për krijim programesh për përpunim të moduleve. Edhe në atë kohë, procedura u bë “me negocim, pa njoftim”.
Mësohet se, drejtuesit e KQZ-së negociojnë direkt me firmat “e preferuara” për t’ua dhënë atyre këtë tender, me vlerë goxha të lartë. Vitin e kaluar, KQZ-ja miratoi rregullat teknike të administrimit të Platformës Elektronike të Regjistrimit.
“Platforma do të krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga KQZ dhe do të jetë e disponueshme dhe e përdorshme në të dy versionet, desktop dhe mobile, pa u kushtëzuar nga lloji i pajisjes që do të përdorë zgjedhësi. ‘PER’ do të ketë dy module kryesore: Moduli i regjistrimit dhe Moduli i shqyrtimit të kërkesave, të cilët do të mundësojnë një proces të sigurt dhe të besueshëm për menaxhimin e kërkesave për regjistrim” thuhej në këtë njoftim.
Në datën 4 mars 2025, përfundoi afati për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të bërë kërkesë në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Procesi nisi më 11 janar dhe deri më 5 mars kërkesat për regjistrim ishin 294.155, nga të cilat iu është miratuar kërkesa për regjistrim 231.900 zgjedhësve.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.