
Në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë po dëgjon rreth 60 kandidatët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, nga ku do të zgjedhë 11 prej tyre, drejtoresha e komanduar e këtij televizioni vijon të përgatisë me shpejtësi supertenderin. Pas denoncimit të parë të VoxNews, ku Aurora Polo vepronte në fshehtësi dhe me dinakëri, tashmë RTSH-ja ka publikuar dokumentet e këtij tenderi.
Por, ajo që vihet re në gjithë këtë aferë është se procedura e majme do të finalizohet në datën 7 prill 2025. Gjithçka po bëhet me shpejtësi, me qëllim që t’i heqë drejtorit që do të zgjidhet mundësinë e bërjes së kësaj procedure, ku duket se e gjithë vëmendja e Polos dhe e besnikëve të saj është vetëm te shpenzimi i parave dhe jo te prodhimi apo mbarëvajtja e televizionit shtetëror.
Por, tashmë janë hapur letrat dhe me të drejtë lind pyetja; kush mund t’a ndalojë? Në një kohë që i gjithë Këshilli Drejtues është shkarkuar, kush mund të stopojë këtë drejtuese? Normalisht, “eprori” i saj i vetëm në këto momente është vetëm Kuvendi i Shqipërisë, i cili zgjedh anëtarët dhe drejtorin. Por a ka fuqi që të anulojë këtë super tender?
Informacionet që kanë mbërritur në redaksinë e VoxNews flasin se e gjithë është një aferë, ose më saktë “nderi” i fundit që mund të bëjë Aurora Polo në prag të largimit. Dokumenti i mësipërm është shpallja e procedurës “blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e shpërndarjes DVB-T2” për 48 muaj. Në dokumente përcaktohet se rrjeti i DVB-T2 i RTSH, është i ndërtuar nga “Head End, i cili ndodhet në RTSH”
Sipas saj, rrjeti i transmetuesave i cili është i ndërtuar nga 59 stacione transmetuese, të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe përbëhet si më poshtë 11 stacione transmetuese me fuqi 1.1 kË, 33 stacione me fuqi 570Ë dhe 15 stacione me fuqi 50Ë.
“Fondi limiti kontratës për 12 muaj është 226,954,134 lekë. Fondi limit/vlera e pritshme e kontratës për 48 muaj është 907,816,536 lekë pa TVSH ose 9,156,914 euro pa tvsh” thuhet në dokumente.
Por, më e rëndësishmja në këtë procedurë është se afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 7 prill 2025 në orën 10:00. Në fund të dokumentit është edhe emri dhe firma e drejtoreshës së komanduar Aurora Polo. Pyetja e të gjithëve; kush mund t’a ndalojë?!
Disa javë më parë, redaksia jonë denoncoi këtë skandal që po ndodh në RTSH. Duket se, krahas problemeve me zgjedhjen e drejtorit të ri apo shkarkimit të Këshillit Drejtues, vëmendja e të gjithë titullarëve ka qenë kjo procedurë. Në datën 25 shkurt 2025, ne denoncuam se “të gjitha veprimet po bëhen nën rrogoz, ku po tentohet të prokurohet një vlerë e madhe, vetëm e vetëm që të ‘kënaqë’ klientët apo firmat e saj të preferuara”.
Në atë kohë, VoxNews shfletoi dokumente të RTSH-së të viteve të kaluara, ku rezulton se shpenzimet e mirëmbajtjes për këtë rrjet janë parashikuar në bazë të kontratës SLA-së për mirëmbajtjen e rrjetit të digjitalizimit.
“Vlera e parashikuar përfshin shërbimin për periudhën janar-dhjetor 2024. Kjo pagesë bazohet në kontratën për shërbimin e mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVBT2, lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së dhe shoqërisë ‘Rohde & Schwarz, në një periudhë 4 vjeçare nga 1 marsi 2021, në vlerën 8.795.962 euro, me vlerë vjetore 2.1 milionë euro, mujore në vlerën 183.250 euro” thuhej në dokumente.
Klanet e drejtimit të RTSH-së, duket se i shërbejnë më shumë buxhetit dhe jo përmbajtës. Asnjë prej drejtorëve të fundit nuk është kujdesur për programin televiziv, përmbajtën e tyre por për mënyrën se si t’i harxhojnë ato para’.
Sipas dokumenteve, buxheti vjetor i Radio Televizionit Shqiptar është plot 28 milionë euro. Një shifër e frikshme për një televizion, por fryrja e kostove të tenderëve, marrja në punë e njerëzve dhe shpenzimet e tjera kanë sjellë këtë buxhet.
Mësohet se, financimi nga buxheti i shtetit për vitin 2024 ka qenë 690 milionë lekë ose 7 milionë euro. 17 milionë euro u mblodhën nga taksa që paguan çdo familje në faturën e dritave. Ndërkohë, ky televizion prodhoi vetëm 331 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro. Në RTSH punojnë plot 976 punonjës, teksa sipas drejtorisë duhet 1041 punonjës. Pagat e tyre arrijnë në 11 milionë euro.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.