
Ilirjan Celibashi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka hapur një super procedurë, teksa ka akorduar plot 10 milionë euro. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, këto para do të shkojnë për votën e shqiptarëve me postë. Nisur edhe nga procedura, nuk bëhet fjalë për tender, por për shpenzim parash të cilat do të shkojnë për postën.
Paratë do të jepen me negocim pa njoftim, teksa i jep dorë të lirë Celibashit dhe vartësve për të zgjedhur firmën që do të administrojë këtë proces. Në fakt, të gjitha paratë e votës të dhëna nga KQZ-ja janë dhënë me këtë procedurë, ku nuk bëhen tendera por përzgjidhen firma për fletët e votimit, pajisjet elektronike, internetin, kancelari apo edhe votimin elektronik.
Nga viti në vit kostoja e votës është rritur ndjeshëm, teksa partitë politike kanë gjithmonë pakënaqësi. Në këtë zgjedhje është shtuar edhe vota e diasporës, ku fillimisht u krijua regjistri dhe tashmë kostoja e postës.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Celibashi ka hapur procedurën objekt prokurimi “shërbim postar për zgjedhësit nga jashtë vendit”. Fondi limit i kësaj procedure është plot 1.008.333.333 lekë, ose 10 milionë euro.
Mësohet se KQZ do të negociojë me shërbimet postare këto ditë, teksa thotë se këto para do të përdoren për “shërbimi i postave dhe i korrierëve”. Tipi i procedurës është “me negocim, pa njoftim”.
Disa ditë më parë, redaksia jonë denoncoi procedurat e hapura nga KQZ për fondet e akorduara për të “ruajtur votën”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi në APP procedurën e prokurimit “shërbime të suportit dhe përditësime për Votimin Elektronik për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025”. Fondi ishte 110 milionë lekë ose 1.1 milionë euro. Komisioni thotë se kjo shumë do të jepet “me negocim, pa njoftim”, teksa nuk jep informacione të tjera.
Tenderi i parë është bërë në vitin 2024. Në muajin nëntor të vitit 2024, redaksia jonë publikoi investigimin për tenderin e Celibashit, me objekt, “platforma elektronike e regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe shërbimet mbështetëse të saj”.
Fondi limit ishte 208 milionë lekë, ose rreth 2.1 milionë euro dhe fituesi u shpall në muajin nëntor 2024. Bëhet fjalë për module, sistem i marrjes së të dhënave, platforma kompjuterike dhe shërbime për krijim programesh për përpunim të moduleve. Edhe në atë kohë, procedura u bë “me negocim, pa njoftim”.
Në datën 4 mars 2025, përfundoi afati për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të bërë kërkesë në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Procesi nisi më 11 janar dhe deri më 5 mars kërkesat për regjistrim ishin 294.155, nga të cilat iu është miratuar kërkesa për regjistrim 231.900 zgjedhësve.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.