Bordi i naftës ka anëtarë të oligarkëve, si funksionon dhe pse duhet shkrirë

18 Tetor 2022, 20:22Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bordi i naftës ka anëtarë të oligarkëve, si funksionon

Rritja e çmimit të naftë në fund të muajit shkurt dhe ditët e para të marsit, kur Rusia sapo kishte nisur pushtimin e Ukrainës nxorri qytetarët në rrugë në protesta kundër qeverisë dhe oligarkëve të karburantëve.

Edi Rama deklaronte për disa ditë me radhë se çmimet ishin pasoja të luftës, se një fuçi naftë po shitej në tregjet ndërkombëtare deri në 120 dollarë, nga 80-90 dollarë që ishte para nisjes së konfliktit dhe se qeveria nuk kishte se çfarë të bënte sepse çmimet i vendoste tregu.

Kur protesta morën përmasa të mëdha, Rama ndryshoi mendje. Ai njoftoi ngritjen e një bordi transparence që do të ulte, sipas tij, do të ngrinte marzhet e fitimit për tregtarët e naftës, si të shumicës, ashtu edhe të pakicës.

“Qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit, bashkë me qytetarët, përmes bordit kombëtar të furnizimit, ku përfaqësuesit e qeverisë: ministrja e Financave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i Tatimeve, drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët”, thuhej në deklaratën e Qeverisë.

Bordi u ngrit përmes një akti normativ që shtoi një kre për situatat e veçanta dhe masat përkatëse. Sipas këtij ndryshimi, Bordi ka në përbërje 12 anëtarë, duke nisur me ministren Delina Ibrahimaj në cilësinë e kryetares; ministren Belinda Balluku, Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, pesë përfaqësues nga shoqëritë e hidrokarbureve, ndër të cilët 3 përfaqësues nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe 2 përfaqësues të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve.

Dy përfaqësues në nivel drejtuesish janë po nga Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës dhe një përfaqësues tjetër po në nivel drejtues është nga Ministria e Financave, që përfaqësohet me Denar Bibën, si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, i njëjti autoritet që nuk gjeti shkelje as te importi i grurit e miellit dhe rritja në bllok e çmimit të bukës.

Kjo do të thotë se teorikisht, qeveria ka në dorë bordin për vendimmarrje me shumicë votash 7 me 5 ndaj tregtarëve të karburanteve. Po në realitet, çfarë ka ndodhur? A ka kontrolluar bordi Kastratin e Gegën, apo Kastrati e Gega Bordin? Sipas pikës 4 të nenit 3 të aktit normativ që ngriti këtë bord, vendimmarrja e kësaj trupe bëhet me shumicë të thjeshtë dhe përfaqësuesit e Qeverisë, që në karriget përballë përfaqësuesve të oligarkëve të naftës ulen si mbrojtës të interesit publik nuk kanë asnjë të drejtë vetoje.

Duke qenë se kontrollojnë mbi 75 për qind të tregut të shumicës dhe po mbi 75 për qind atë të pakicës, Kastrati e Gega kanë 4 përfaqësues në këtë bord. Emrat që marrin pjesë në mbledhjet e trupës ndryshojnë, por në thelb qëllimi i kontrollit të bordit është arritur edhe falë votave të anëtarëve të tjerë që në letër përfaqësojnë interesin publik, por që po publikisht janë akuzuar si të lidhur dhe kontrolluar nga oligarkët, duke nisur që nga dy ministret e deri te drejtorët në varësi të tyre.

Nga kjo përbërje, mjafton që njëri nga shtatë përfaqësuesit e Qeverisë të mendojë ashtu si përfaqësuesit e bizneseve të karburanteve dhe vendimmarrja anon për oligarkët. Ajo që përforcon bindjen se bordi është vegël e kompanive që kanë duopolin e karburanteve është fakti që çmimet në rritje reflektohen menjëherë në shitjen me pakicë në Shqipëri, ndërsa kur ato ulen, reflektimet mbërrijnë me vonesë dhe janë të vakta, megjithëse kompanitë deklarojnë se kanë depozita për mijëra tonë karburant.

Si shembull, Kastrati Group deklaron se ka depozita në Porto Romano me kapacitet 75.000 tonë. Grupi ka gjithashtu edhe të tjera objekte për transport tokësor të një kapaciteti prej 30.000 tonësh. Objektivi i Kastratit, sipas asaj që thotë vetë në faqen zyrtare është shtimi i depozitave në 120 mijë tonë.

Por, Kastrati e shet litrin e karburanteve si të kishte depozitat bosh, duke reflektuar menjëherë rritjen e çmimeve në bursa. Pse? Konsumi mesatar ditor i karburanteve në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit të kaluar është rreth 1750 tonë në ditë. Pra, sikur të mos importojë fare, vetëm depozitat e Kastratit, pa përfshirë këtu të Gegës dhe të kompanive të tjera furnizojnë Shqipërinë për rreth 40 ditë.

Vendimmarrjet pa transparencë të bordit

Bordi që premtoi të bënte transparencë në vendimmarrje asnjëherë nuk ka publikuar se si kanë votuar anëtarët e tij kur kanë përcaktuar nivelin e shitjes së karburanteve.

I vënë përballë këtyre kritikave, bordi publikoi një formulë komplekse se si përllogariste vendimmarrjen për çmimet. Këtu deklaronte se për referencë merrte çmimet në bursën hungareze, megjithëse pjesa më e madhe e naftës në Shqipëri importohet nga Italia.

Megjithatë, vendime ku mund të jenë reflektuar plotësisht në Shqipëri çmimet bursës nuk ka. Vendimi i 7 tetorit është prova më e mirë për këtë. Nga llogaritë, nafta u rrit me rreth 15 lek për litër në tregjet e huaja në krahasim me çmimin që shitej në fillim të muajit. Bordi në Shqipëri e rriti me 22 lek me vetëm me një të rënë të lapsit.

Arsyeja tjetër se përse bordi vetëm interesat e qytetarëve nuk po mbron janë krahasimet me vendet e rajonit. Në të gjitha këto vende, çmimi i një litri naftë nuk ka tejkaluar 2 mijë lekët që prej fundit të muajit mars. Në Shqipëri, çmimi nuk ka zbritur poshtë këtij niveli që prej fundit të muajit shkurt.

Çmimi i lartë i shkon për shtat edhe Qeverisë, pasi arkëton më shumë në buxhet në formën e akcizës dhe TVSh-së duke e kaluar te qytetarët të gjithë barrën e rritjes së çmimeve, përfshi këtu edhe rritjen abuzive të tyre, ndërsa publikisht përmes bordit krijon përshtypjen mes qytetarëve se po i mbron ata.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video