Shteti në shërbim të Samir Manes, si ndryshoi harta e Bashkisë së Kamzës që ‘oligarku’ të paguante më pak taksa

22 Qershor 2022, 00:00Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Samir Mane dhe kantieri i ndërtimit pas QTU-së

Samir Mane është akuzuar e provuar ndër vite se e ka vendosur shtetin në shërbim të bizneseve të tij. Rastet janë të shumta, që nga tuneli i Llogorasë, që po ndërtohet për vilat e resortet e tij në Palasë, te statusi investitor strategjik në Portin e Vlorës, e deri te ligjet e rregullat e tregtisë online.

Megjithatë, një shembull i ri edhe më flagrant i vendosjes së shtetit në shërbim të oligarkut mbërrin nga Tirana. Këtu Qeveria është investuar për të ndryshuar hartën administrative territoriale në mënyrë që Samir Mane të shmangte taksat e Bashkisë së Tiranës për ndërtimet e reja.

Bëhet fjalë për kompleksin e ndërtimeve që Samir Mane po ngre pranë QTU-së. Deri para nisjes së këtyre ndërtimeve, trualli ishte nën juridiksionin territorial të Bashkisë së Tiranës. Por, për të paguar më pak taksa në infrastrukturë dhe lejen e ndërtimit, përfshirë këtu edhe për të shmangur rregullin e detyrimit të garazheve dhe kateve nëntokë, Samir Mane siç duket ka lobuar në Qeveri që këtë truall t’ja kalojë Bashkisë së Kamzës.

Kështu ka ndodhur. Shteti është vënën në lëvizje dhe me një seri shkresash e vendimesh ka kaluar këtë truall në varësinë e Bashkisë së Kamzës, duke i kursyer oligarkut Mane një shumë të mirë parash, që duhet të paguante si detyrime në rast se do të aplikonte për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës.

Ndërhyrja është në kufijtë e falsifikimit dhe shkeljes ligjore, pasi harta administrative dhe kufijtë ndarës mes bashkive përcaktohen me ligj dhe vendime të Këshillit të Ministrave. Ligji në fuqi është ai i 2015-s, që ndan territorin në 61 bashki, ndërsa VKM-ja është ajo me numër 1078 e datës 23 dhjetor 2015.

Duke cituar këto dy norma, harta e Bashkisë së Kamzës është zgjeruar si xhep në truallin e Samir Manes me shkresën numër 5126/3, datë 21 nëntor 2020, të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, që i ka dorëzuar Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Shteti në shërbim të Samir Manes, si ndryshoi harta e
Me mavi kufiri i vjetër ndarës mes bashkive Tiranë-Kamëz. Pjesa brenda rrethit ku po ndërton Samir Mane

Përditësimi i hartës ka hyrë në fuqi dhe për të kuptuar se ky përditësim është bërë vetëm për t’i shërbyer Samir Manes mjafton të përmendet fakti që në zonën ku është zgjeruar Bashkia e Kamzës ndodhet vetëm trualli ku po ndërton Samir Mane. Harta këputet si me thikë ngjitur me bizneset e mëdha që ndodhen buzë autostradës Tiranë-Durrës në atë zonë.

Këto biznese mbeten në juridiksionin territorial dhe paguajnë taksat vendore në arkën e Bashkisë së Tiranës përgjatë të gjithë rrugës, deri te mbikalimi i Rinasit. E në të gjithë këtë vijë lineare, Samir Mane ‘ka dredhuar’ duke shmangur taksat edhe me ndihmën e shtetit.

Vox News disponon dokumentacionin e plotë të ndryshimit të hartës territoriale, që do ta publikojë në vijim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video