
Interi dhe Milani kanë prezantuar projektin e stadiumit të ri që do të zëvendësojë impiantin historik “San Siro”.
Stadiumi do të mbajë emrin “Generali Stadium”, sipas kompanisë italiane të sigurimeve që do të jetë sponsorizuesja e tij. Ai do të ketë një kapacitet prej 71 500 spektatorësh, ndërsa investimi i përbashkët i dy klubeve parashikohet të jetë rreth 1.2 miliardë euro.
Projekti u prezantua të enjten gjatë një mbrëmjeje gala në kështjellën “Castello Sforzesco” në Milano. Sipas planit të miratuar, ndërtimi pritet të nisë në vitin 2028, në zonën ku ndodhet aktualisht “San Siro”, ndërsa stadiumi i ri synohet të jetë gati për sezonin futbollistik 2031-2032.
Pavarësisht prezantimit të projektit, ideja për zëvendësimin e stadiumit historik ka hasur kundërshtime nga një pjesë e tifozëve. Jashtë aktivitetit, një grup mbështetësish të Interit protestuan kundër shembjes së “San Siros”, duke shpalosur një banderolë me mbishkrimin: “Nuk do të mund t'i shuani kurrë dritat e San Siros”. Protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre edhe përmes thirrjeve kundër projektit.
Arkitekti Norman Foster, i përfshirë në projektimin e impiantit, bëri të ditur se stadiumi do të ketë një arkitekturë të veçantë, me pjesën qendrore më të ulët dhe strukturën që ngrihet në të dyja anët pas portave. Tribunat do të vendosen shumë pranë fushës, me qëllim krijimin e një atmosfere më të afërt dhe intensive mes lojtarëve dhe tifozëve.
Stadiumi nuk do të shërbejë vetëm për futbollin. Projekti parashikon që impianti të jetë i përshtatshëm edhe për ndeshje të futbollit amerikan NFL, rugby, si dhe për organizimin e koncerteve muzikore.
Për realizimin e projektit, Interi dhe Milani kanë paguar 197 milionë euro për blerjen e stadiumit aktual “San Siro” dhe hapësirave të parkimit përreth tij. Me përfundimin e impiantit të ri, stadiumi ekzistues pritet të shembet në pjesën më të madhe.
“San Siro”, i njohur gjithashtu si “Stadio Giuseppe Meazza”, u inaugurua në vitin 1926 dhe është stadiumi me kapacitetin më të madh në Itali. Për dekada me radhë, ai ka qenë një prej simboleve të futbollit italian dhe europian, por nevoja për modernizim dhe përshtatje me standardet e reja ka çuar në vendimin për ndërtimin e një impianti të ri.