Muzeu i Arbëreshëve do të ngrihet në Vuno

19 Gusht 2025, 14:38Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në Vuno të Himarës, një nga zonat nga ku nisi dikur eksodi i arbëreshëve, do të ngrihet së shpejti Muzeu i Arbëreshëve, një projekt që synon të sjellë në atdhe kujtesën, gjuhën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur identitetin shqiptar për më shumë se pesë shekuj larg trojeve amtare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja inspektoi hapësirën ku do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve.

“Ky muze nuk do të jetë vetëm një godinë, por një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve, ku rrëfimet e të parëve tanë do të marrin jetë përmes ekspozitave, kujtimeve dhe dialogut kulturor”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

“Ky muze do të lidhë historinë e diasporës më të vjetër shqiptare me brezat e sotëm, duke forcuar bashkëpunimin shpirtëror e kulturor me komunitetet arbëreshe në Itali”, theksoi Gonxhja.

I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara.

“Ky restaurim i kishave si dh ngritja e muzeut do ta kthejnë zonën në një ansambël mozaik të gjallë ku trashëgimia shpirtërore ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor, rijetëzimin arkitekturor të lagjes e itinerareve”, tha Gonxhja.

Gonxhja vuri në dukje se “ky është një hap i madh për gjallërimin e Vunoit, për forcimin e identitetit kulturor shqiptar dhe për pasurimin e turizmit historik e kulturor përtej sezonit të plazhit dhe zhvillimit të programeve të ndryshme edukative e kulturore, por edhe të angazhimit të komunitetit”.

Ky muze, sipas ministrit Gonxhja është një ftesë për të gjithë, vendas, vizitorë dhe diasporë që të ndihen pjesë e një historie që na bashkon e na bën krenarë.

Muzeu parashikohet të ndërtohet në ish-shkollën 8-vjeçare në Vuno, ku kanë prejardhjen shekullore një numër i madh arbëreshësh, familjet e të cilave u shpërngulën nga kjo krahinë në shekullin XVII.

Muzeu do të shërbejë gjithashtu si një  pikë turistike e shtuar në fshatin Vuno.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit???????? (@meki.gov.al)


Video