Për më shumë se 20 vjet arkeologët kanë zhvilluar gërmime në vendin e shenjtë legjendar të etruskëve në Orvieto të Italisë. Tani me sa duket ata kanë gjetur objekte të rëndësishme fetare.
Gërmimet arkeologjike në vendin e shenjtë qendror etrusk në Itali, Fanum Voltumnae, kanë nxjerrë me sa duket në dritë objekte të rëndësishme fetare. Objektet e gjetura mundësojnë të nxirren përfundime rreth ritualesh që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë. Sipas njoftimeve të mediave italiane këtë javë në periferi të qytetit të Orvietos u zbuluan dy koka deshësh prej guri të ruajtura mirë, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni.
Në kulmin e epokës etruske
Vendi i shenjtë i federatës së qytetit etrusk pranë Orvietos, i cili ka përmasa të mëdha, u zbulua në fillim të viteve 2000 gjatë gërmimeve të udhëhequra nga arkeologia Simonetta Stopponi.

Që nga ajo kohë gërmimet kanë vazhduar. Mendohet se ky vend i shenjtë është ndërtuar në kulmin e epokës etruske në shekullin e 6-të para Erës sonë.
Asimilimi nga romakët
Etruskët u vendosën në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Erës sonë. Origjina e tyre është ende e paqartë dhe gjuha dhe feja e tyre janë studiuar vetëm pjesërisht.
Periudha nga shekulli VII deri në shekullin V para Krishtit ishte epoka e lulëzimit të etruskëve. Historiani i antikitetit Dionisi i Halikarnasos i admironte ata si "më të hershmit dhe krejt të ndryshëm nga popujt e tjerë".

Studiuesit edhe sot e kësaj dite debatojnë për prejardhjen e etruskëve. Shumica mbron tezën, se ata e kanë prejardhjen nga Azia e Vogël (në Turqinë e sotme) prej nga kanë emigruar.
Të tjerë i konsiderojnë si një fis të ngulitur prej kohësh në territorin e sotëm të Italisë, i cili ishte zhvilluar me kalimin e kohës. Megjithatë analizat e ADN-së së popullsisë në Toskanë mbështesin tezën e parë.
Etruskët u mundën nga romakët, të cilët e asimiluan popullin etrusk dhe kulturën e tyre derisa sa ata u zhdukën si grup i pavarur etnik gjatë Republikës Romake. /DW